Vritet gazetari i katërt brenda më pak se një muaji në Meksikë

Prishtinë | 01 Shk 2022 | 14:43 | Nga Ekonomia Online

Gazetari meksikan, Roberto Toledo, është qëlluar për vdekje nga tre persona të dyshuar, duke u bërë kështu gazetari i katërt që ekzekutohet në këtë shtet, brenda më pak se një muaji.

Toledo është vrarë nga të dyshuarit, në një zonë parkingu, në qytetin Zitacuaro, të hënën pasdite.

Ai ishte duke punuar për median Monitor Michoacán, raporton The Guardian.

Në një postim në rrjetet sociale, drejtori i Monitor Michoacán, Armando Linares, shprehu ngushëllimet e tij për familjen e Toledos, duke thënë se “ekspozimi i korrupsionit çoi në vdekjen e një prej kolegëve tanë”.

“Toledo humbi jetën nga duart e tre personave që e qëlluan në mënyrë të keqe dhe frikacake. Ne nuk mbajmë armë. Ne kemi vetëm një stilolaps dhe një fletore për t’u mbrojtur”, ka thënë Linares.

Gazetarët kanë akuzuar presidentin meksikan Andrés Manuel López Obrador për dështimin në mbrojtjen e tyre dhe kolegëve të tyre, me presidentin nga ana e tij duke fajësuar “neoliberalizmin”.

Vdekja e Toledos pason vdekjen e José Luis Gambo, Margarito Martínez dhe Lourdes Maldonado López, të cilët u vranë në fillim të këtij muaji.

Meksika është bërë e njohur si një nga vendet më të rrezikshme për të punuar gazetarët.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve tha se numëron 32 anëtarë të medias të vrarë që kur Obrador mori detyrën në dhjetor të vitit 2018, duke mos llogaritur rastin e Toledos. Ata që janë në rrezik të veçantë janë reporterët lokalë që kërkojnë lidhjet midis politikës dhe krimit të organizuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme