Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, përmes një deklarate ka konfirmuar vrasjen e njërit prej liderëve kryesor të grupit militant Shteti Islamik në Siri.
Në deklaratën e presidentit amerikan, konfirmohet se trupat amerikane kanë vrarë në Siri, liderin e IS-it, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi.
“Falë aftësive dhe trimërisë së forcave tona të armatosura, ne kemi hequr nga fushëbeteja Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshi – liderin e ISIS. Të gjithë amerikanët janë kthyer shëndoshë e mirë nga operacioni”, thuhet në deklaratën e lëshuar për media nga zyra e presidentit Biden.
Biden ka bërë të ditur se operacioni është kryer nën drejtimin e tij dhe se është zhvilluar në veriperëndim të Sirisë.
Sipas presidentit amerikan, Biden, trupat amerikane kryen të operacion të kundërterrorizimit me qëllim që bota të jetë një vend më i sigurt.
AP raporton se operacioni erdhi pasi që grupi militant IS po përpiqet të ringjallet, me një seri sulmesh në rajon, duke përfshirë një sulm që zgjati gati dhjetë ditë me qëllim të marrjes nën kontroll të një burgu.
Forcat speciale amerikane zbarkuan me helikopterë dhe sulmuan një shtëpi në një cep të kontrolluar nga rebelët në Siri, duke u përleshur për dy orë me persona të armatosur, thanë dëshmitarët, raporton AP.
Vendi ku u vra lideri i IS-it, është kryesisht i banuar nga njerëz që janë larguar kohë më parë nga luftimet që ndodhën në Siri.
Pas vrasjes së Abu Bakr al-Baghdadi më 27 tetor, 2019, grupi militant IS kishte shpallur për lider të ri, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Qurayshin.
Më 19 dhjetor, 2018, asokohe presidenti amerikan, Donald Trump, kishte shpallur fitoren mbi grupin militant Shteti Islamik. Por grupe të IS-it kishin vazhduar të kontrollonin disa territore brenda Sirisë.
Më 23 mars, 2019, zyrtarisht IS-i humbi kontrollin mbi territorin e fundit që kishte nën kontroll në Baghouz.
Një numër i madh i pjesëtarëve të IS-it u arrestuan dhe ende vazhdojnë të mbahen nëpër burgje të ndryshme në Siri.