Policia afgane thotë se një gazetar është vrarë në provincën Paktia, në lindje të Afganistanit.
Trupi i pajetë i Nader Shah Sahibzada – gazetar në Radio Gardez – u gjet më 13 korrik, vetëm një ditë pasi u shpall i zhdukur.
Shefi i policisë, Mohammad Hosman Jahnbaz tha se ende nuk është e qartë nëse vrasja e tij është e lidhur me punën që Sahibzada bënte.
Deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e gazetarit.
Talibanët dhe grupi militant, Shteti Islamik në të kaluarën kanë kryer sulme që kanë pasur për cak gazetarë.
Afganistani është vendi më vdekjeprurës për gazetarët në mbarë botën. Vetëm vitin e kaluar, në këtë shtet u vranë 13 gazetarë, thuhet në të dhënat e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, organizatë me bazë në Nju Jork./REL/