Ka luajtur në shumë skuadra të njohura në Shqipëri me të cilat është paraqitur edhe në garat evropiane, si dhe ka fituar edhe trofe, por ngrohtësinë që ka gjetur te Drita nga Gjilani nuk e gjeti askund. Thotë se është e veçantë. Bëhet fjalë për futbollistin nga Shkodra e Shqipërisë, Erion Vucajn, i cili që nga vera e vitit 2018 është pjesë e Dritës.
Për KOHËN, 29-vjeçari ka deklaruar se pritja shumë e mirë nga të gjithë në klubin gjilanas ia ka bërë ambientimin në skuadër shumë më të lehtë.
“Në një ekip dhe kampionat të ri, nuk është e lehtë të ambientohesh. Por, ekipi ma ka bërë më të lehtë ambientimin. Pritja ka qenë shumë e mirë nga të gjithë dhe dua t’i falënderoj. Ne si sportistë mundohemi të japim më të mirën si në stërvitje e po ashtu edhe në ndeshje. Kurse pjesën tjetër e vendos stafi teknik, në varësi prej formës së lojtarit dhe ndeshjeve specifike që do të kemi”, tha Vucaj, i cili këtë sezon e ka fituar vendin e titullarit të padiskutueshëm në ekipin që po drejtohet nga trajneri Ardian Nuhiu, kurse sezonin e parë në shumë ndeshje futej nga banka e rezervistëve.
Me Dritën, futbollisti shqiptar ka arritur të fitojë titullin e kampionit të Kosovës, si dhe është paraqitur edhe në garat evropiane. Vucaj përmend tri gjërat më të veçanta që i ka Drita.
“Dy vjet te Drita kanë qenë pozitivë. Këtë vit ia dolëm që të shpallemi kampion, kurse në vitin e kaluar nuk e mbyllëm si duhet sezonin. Gjatë kësaj periudhe te Drita kam shumë gjëra për të veçuar. Grupi i lojtarëve dhe atmosfera fantastike që është në dhomat e zhveshjes, stafi dhe drejtuesit e klubit me korrektësinë e tyre, duke mos bërë presion as për fitore në rastet kur humbin, si dhe tifozët ‘Intelektualët’, të cilët na mbështesin fortë në ditë të mira e po ashtu edhe të vështira. Përkrahja e tyre është për t’u vlerësuar lart, janë të veçantë. Më vjen keq që nuk janë në stadium gjatë kësaj kohe të pandemisë, por shpresoj që shumë shpejt t’i shoh në tribuna”, u shpreh e mesfushori nga Shkodra, i cili thotë se në Gjilan ndihet si në shtëpi, e ku me vete e ka marrë edhe familjen. “Në qytetin e Gjilanit jam përshtatur shumë mirë. Ndihem si në shtëpinë time pasi më kanë pritur shumë mirë që nga dita e parë. Këtu i gjithë qyteti jeton për futbollin. Unë jetoj në Gjilan me familjen time”.
Edhe pse nuk ka mundur të luajë për ndonjë klub në Evropë, Vucaj është paraqitur në garat evropiane me Skënderbeun dhe Luftëtarin, si dhe këtë vit me Dritën. Ai mendon se kalimi deri në rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës është një gjë shumë pozitive.
“Viti i kaluar ka qenë shumë i vështirë, por e mbyllëm me sukses, duke e fituar trofeun e kampionatit. Për sa u përket garave evropiane, për mendimin tim, Drita ka bërë më të mirën e mundshme. Përballë kemi pasur ekipe si Legia, dhe ndeshja me ta ishte ndeshje luksi, pasi ishin në nivel më të lartë. Por, pavarësisht kësaj, me mundësitë që kemi pasur, luajtëm mjaft mirë”, tha Vucaj, që zbulon se te Drita atmosfera është shumë e mirë dhe nuk kanë presion. “Ekipi i Dritës ka diçka shumë pozitive, që nuk ushtron presion te lojtarët për titull të kampionit. Thjesht, përgatitemi për të marrë më të mirën në ndeshjen e radhës dhe llogaritë i bëjmë në fund”.
Vucaj synon që me Dritën të fitojë sërish titullin, por edhe Kupën e Kosovës.