Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq tha sot se shteti i Serbisë do të ketë përgjigje adekuate ndaj nënshkrimit të marrëveshjes ushtarake mes Turqisë dhe Kosovës që u bë të hënën.
“Jo vetëm politikisht, por ne do t’i përshtatim kapacitetet tona për të gjitha sfidat, rreziqet, madje edhe rreziqet për atdheun tonë, sepse shtrohet pyetja – për kë dhe për çfarë është e armatosur ushtria e Kosovës”, u tha Vuçeviq gazetarëve në kazermën e Beogradit në Topçider, pas ekspozimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake të Forcave të Armatosura Serbe (SAF)”.
Ai përsëriti se kjo është në kundërshtim me Marrëveshjen Ushtarako-Teknike dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe se paraqet “shkelje të drejtpërdrejtë të të gjitha normave të së drejtës ndërkombëtare”, duke shtuar se bashkëpunimi ndërmjet Turqisë dhe Kosovës “nuk është një gjë e re”.
Një ditë më parë ministri kosovar i Mbrojtjes Ejup Maqedonci njoftoi për firmosjen e kësaj marrëveshje.
Ai përmes një njoftimi në Facebook u shpreh se ujdia është bërë për të thelluar bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime.
“Nënshkruam marrëveshjen ushtarake kornizë me Republikën e Türkiye. Me ftesë të Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler, me pritje ceremoniale filluam takimin i cili përfundoi me një të arritur shumë të rëndësishme të përbashkët, nënshkruam marrëveshjen ushtarake kornizë për të thelluar bashkëpunimin ushtarak në shumë drejtime”.
“Shkëmbimi i personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimi në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turkiye ishin disa nga çështjet të cilat i diskutuam, e që përmes marrëveshjes së nënshkruar i hapim rrugë procesit për realizimin e tyre. ka bërë me dije Maqedonci./KK