Vuçiç: Më kanë mbështet për muri, sot ishte dita ime më e vështirë si president

| 11 Dhj 2022 | 21:01 | Nga

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se dita e sotme ishte më e vështira prejse është president i Serbisë. Madje, ditë më të vështirë tha se nuk kishte as kur udhëhiqte si kryeministër.

“Kjo që po ndodh në Kosovë është një përpjekje për t’i dhënë fund problemit serb, në të cilin marrin pjesë Albin Kurti dhe autoritetet e Prishtinës, si dhe një pjesë e mirë e bashkësisë ndërkombëtare”, tha Vuçiç në njoftimin për media pas përfundimit të mbledhjes në Këshillin e Sigurisë në Serbi.

“Gjithçka që kemi njoftuar dje, në ditët e mëparshme dhe në javët e kaluara po ndodh, para së gjithash nga aspekti ndërkombëtar, në të cilin keni të pavërteta të panumërta, falsifikime të plota, madje edhe gënjeshtra të zhveshura të asaj që po ndodh në terren”, deklaroi.

“Sot për shkak të situatës në veri të Kosovës ka qenë dita më e vështirë për mua që kur jam president i shtetit dhe që kur isha kryeministër dhe ndoshta do të ketë edhe shumë ditë e net të vështira, sepse jemi të shtyrë pas murit”.

“Jemi të shtypur pas murit, për mua kjo është sigurisht dita më e vështirë, ndoshta edhe nata më e vështirë më pret,” tha Vuçiç për Radio Televizionin e Serbisë.

Vuçiç që para dy ditësh fliste për rikthim të forcave të armatosura serbe në Kosovës përmes rezolutës 1244, deklaroi se është i interesuar për paqe e jo për dhunë.

“Ne kemi garanci nga KFOR-i dhe Evropa se nuk do të ndërmarrin veprime të dhunshme ndaj demonstruesve, shpresojmë se do të shkojë kështu. Ne do të vazhdojmë të bisedojmë me ta, kjo është puna jonë, do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, deklaroi presidenti serb.

Në fund të konferencës, Vuçiç u ka bërë thirrje serbëve që të besojnë në të dhe politikat e tij.

Të ngjashme