Vucic: Nuk do të jetë e lehtë për neve, Thaçi i bëri të gjitha me ndihmën e ShBA-së

Prishtinë | 04 Qer 2020 | 19:22 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic ka thënë se pritet presion i madh për zgjidhjen e problemit me Kosovën, duke pranuar se nuk do të jetë e lehtë. Ndër të tjera ai ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi ka pasur përkrahje nga SHBA për shumë çështje.

Kështu tha ai para gazetarëve në Loznica, ku mori pjesë në hapjen e spitalit dhe fabrikes ‘Adient’.

“Nuk do të jetë e lehtë për Serbinë”, tha Vucic

Ai përsëriti se në procesin e dialogut, Serbia gjithashtu duhet të merret parasysh.

“Ne nuk kemi kundërshtime për bisedimet që kemi pasur në BE, si dhe në bisedimet me Richard Grenell. Gjithmonë jam munduar të arrij sa më shumë që të jetë e mundur në mënyrë paqësore. Nëse ata ndalojnë me kërkesat për pranim në Interpol dhe organizata të tjera, ne do të ndalojmë fushatën e njohjes së Kosovës”, tha tutje ai, përcjell Gazeta Metro.

Tutje, Vucic ka shtuar se të gjitha këto Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka realizuar me mbeshtetjen e SHBA’së dhe se ai për bisedime do të jetë dakord vetëm kur amerikanët janë pjesë e tyre.

Vucic shtoi se nuk e kupton arsyen pse Thaçi nuk dëshiron të bisedojë me përfaqësuesit evropianë në procesin e dialogut.

“Për dallim prej nesh, që nuk na lejohet të bëjmë asgjë, sidoqoftë, atyre u lejohet të bëjnë gjithçka”, tha ai.

Kujtojmë se ditë më parë Presidenti Thaçi ka deklaruar se nuk ulet në tavolinën e bisedimeve me emisarin Miroslav Lajcak, pa e njohur Sllovakia pavarësinë e Kosovës./gazetametro.net

Të ngjashme