Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar hapur Kroacinë se po e pengon përpjekjen e Serbisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Gjatë një paraqitjeje televizive, Vuçiq tha se, pas ringritjes së Serbisë, Kroacia ka bashkuar forcat me aktorë të tjerë rajonalë, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, për të frenuar Beogradin.
“Serbia është ngjallur si një feniks nga hiri,” u shpreh Vuçiq, duke aluduar në forcimin e vendit të tij, i cili ka shtyrë fqinjët të krijojnë një aleancë kundër tij.
“Pse fqinjët tanë nuk duan që të jemi në BE? Arsyeja është e thjeshtë. Ata menduan se, sapo u anëtarësuan në BE dhe NATO, dhe me ata që ishin atëherë në pushtet në Serbi e nuk e trajtonin vendin siç duhet, gjithçka kishte mbaruar se ata po bëheshin një forcë dominuese nga Triglavi në Stamboll, dhe sigurisht në zonën që shtrihet deri në Bullgari e Greqi. Meqenëse Serbia është ngritur, meqenëse është zgjuar dhe është bërë më e fortë, ata duan të frenojnë fuqinë e saj. Nuk ka ndonjë filozofi të madhe këtu. Kjo është arsyeja pse janë bashkuar me Prishtinën, Tiranën dhe të gjithë të tjerët,” përfundoi Vuçiq.