Vuçiq bindet për t’i lejuar targat RKS në territorin serb 12 vjet pas marrëveshjes Tahiri -Stefanoviq

Prishtinë | 26 Dhj 2023 | 16:44 | Nga Ekonomia Online

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e veturave brenda territorit të Republikës së Kosovës me targa ilegale të lëshuara nga organet paralele të Serbisë ka bërë që serbët lokalë me lejen e Beogradit t’i regjistrojnë në masë të madhe veturat e tyre me tabela të Republikës së Kosovës. Duke parë një gjë të tillë, Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar të hënën se nga 1 janari 2024 do t’i lejojnë të futen në Serbi veturat me tabela të Republikës së Kosovës.

Por cila është historia e marrëveshjeve për punën e targave në mes të Kosovës dhe Serbisë

Në korrik të vitit 2011, Kosova dhe Serbia kishin arritur një Marrëveshje për Lirinë e Lëvizjes. Edita Tahiri dhe Borko Stefanovic të ndërmjetësuar nga Robert Cooper ishin marrë vesh që veturat me tabela KS të udhëtonin lirshëm nëpër territorin e Serbisë duke shënuar kështu fillimin e marrëveshjeve për targa mes dy vendeve. Ndërkohë për ata që i kanë pasur veturat e regjistruara me tabela RKS kanë qenë në dispozicion tabelat e përkohshme në secilën pikë kufitare, me të cilat kanë mundur të udhëtojnë lirshëm nëpër Serbi. Kjo pasi që Serbia nuk e njeh pavarësinë e Republikë së Kosovës. Veturat me targa RKS detyroheshin të merrnin targa provuese në kufirin me Serbinë, që vlenin 60 ditë dhe kushtonin 5 euro.
Kjo marrëveshje për targat ishte ndryshuar në vitin 2016, kur Kosova dhe Serbia ishin pajtuar që në mënyrë reciproke të përdoronin stikerët (ngjitës të bardhë) për targat përkatëse. Regjimi i stikerëve ishte planifikuar që të hynte në fuqi më 15 nëntor 2016.

Megjithatë në shtator të vitit 2021, Qeveria nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti kishte marrë vendim për vendosjen e masës së reciprocitetit, duke i detyruar shoferët nga Serbia që të kalonin nëpër të njëjtat procedura për të hyrë në Kosovë.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës kishte nxitur tensione tek serbët lokalë të cilët kishin bllokuar rrugët që çonin nëpër pikëkalimet kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë e Bërnjak.

Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 30 shtator 2021 është arritur një marrëveshje e përkohshme për targat, derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjate. Përgjatë kësaj kohe, veturat me targa të Kosovës dhe ato të Serbisë ishin obliguar të ngjitnin letra ngjitëse për t’i mbuluar simbolet shtetërore sa herë e kalonin kufirin.

Kosova gjithashtu ka vendosur që të mos lejojë më qarkullimin e veturave me targa ilegale të lëshuara nga organet paralele të Serbisë për vendbanime të Republikës së Kosovës. Pas një rezistence të madhe dhe disa shtyrjeve, përfundimisht serbët lokalë kanë pranuar që t’i heqin targat ilegale dhe t’i regjistrojnë veturat e tyre me tabela të Republikës së Kosovës (RKS). MPB kishte bërë lehtësime të jashtëzakonshme për këdo që vendoste të regjistronte makinën me targa të Kosovës.

Duke parë një zhvillim të tillë, Serbia tashmë ka vendosur që nga 1 janari të njohë targat e Republikës së Kosovës dhe veturat me targa RKS do të lejohen që të qarkullojnë brenda territorit të Serbisë.

Petkoviq duke bërë publik vendimi e qeverisë së tij theksoi se Serbia do ta bëjë një njoftim në të gjitha pikëkalimet se nuk e njeh Kosovën do të vendoset në të gjitha pikat kufitare dhe administrative.

“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpallje e njëanshme e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Petkoviq derisa e ka lexuar fjalë për fjalë njoftimin që do të ngjitet në objektet e pikëkalimeve kufitare të Serbisë, përcjell express.

Bashkimi Evropian e ka vlerësuar si hap pozitiv një vendim të tillë të Qeverisë së Serbisë. Stano ka thënë se tashmë ky vendim e hap rrugën për heqjen e plotë të regjimit të stikerëve, letrave të bardha që ngjiteshin në targat e veturave.

“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë që zyrtarisht të njohë targat e automjeteve RKS, të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit, por edhe zotimeve të mëparshme në kuadër të dialogut që lirinë e lëvizjes. Kjo dëshmon se përparimi në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur. Po ashtu është një hap i duhur drejt integrimit më të mirë evropian të Ballkanit Perëndimor, që në fund përfitues do të jenë qytetarët e rajonit. Ky vendim hap rrugën për heqjen e plotë të regjimit të letrave ngjitëse [stiker]. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, ka shkruar Stano.

Të ngjashme