Vuçiq: Bota është në prag të një konflikti botëror, Serbia nuk është kurrë aq e fortë sa do të doja të ishte

Prishtinë | 30 Tet 2023 | 12:45 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në emisionin e mëngjesit në TV Prva tha se mendon se bota është në prag të një konflikti botëror.

“Kemi një situatë mjaft të vështirë në Ukrainë dhe tani është fare e qartë se Perëndimi do ta ketë të vështirë të mposhtë rusët, ashtu si rusët do ta kenë të vështirë të mposhtin ukrainasit. Kina dhe Amerika mbetën jashtë konfliktit, por Amerika pa mëdyshje ndihmon Ukrainën dhe Izraelin. Fatkeqësisht, ne po i afrohemi kësaj, njerëzit dhe shumë vende duan një rend tjetër në botë” – tha ai.

Vuçiq ka thënë se e gjithë bota po shkon në drejtim të keq

“Prandaj na duhet siguria dhe stabiliteti, për të mbrojtur vendin tonë dhe jo për ta sulmuar atë siç bëjnë disa”, tha Vuçiq.

I pyetur nëse është e mundur të ruhet siguria dhe stabiliteti dhe Serbia të mbetet në këtë pozicion, ai tha se tashmë po ia del.

Ai shtoi se ende nuk mund ta dijë nëse do të ketë probleme me naftën dhe gazin.

Formimi i Asociacionit

Duke komentuar ngjarjet e fundit në Banjskë, ai tha se Serbia nuk është në pozitë të lehtë, por se nuk ka arsye për t’u shqetësuar.

“Do ta shtyjmë vendin përpara”, tha Vuçiq dhe shtoi se Serbia është e gatshme të përmbushë gjërat që nuk kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në OKB.

“Por dikush duhet të formojë Asociacionin, dhe Prishtina nuk e dëshiron këtë, nuk duan të formojnë”

Vuçiq tha se ka aktorë politikë nga shumë vende që nuk duan ta shohin Asociacionin e Komunave Serbe. “Nuk kaloi”, tha ai.

I pyetur nëse i frikësohet përshkallëzimit në Kosovë, Vuçiq tha se ka frikë çdo ditë.

“Serbia nuk është kurrë aq e fortë sa do të doja të ishte. As ekonomikisht dhe as ushtarakisht. Unë e di çdo mangësi për sa i përket fuqisë punëtore, pajisjeve, teknikës, gjithçka që mungon në ushtrinë tonë”, tha Vuçiq.

Të ngjashme