Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një intervistë për televizionin serb “Tv Pink”, ka thënë se “shërbimet inteligjente të shqiptarëve në Kosovë po punojnë seriozisht, duke depërtuar edhe në veri”, prandaj shtoi se shërbimet inteligjente të Serbisë kanë punë “përfshirë edhe në Kosovë”.
“Atje, shërbimet tona duhet të bëjnë punë të rëndësishme të kundërzbulimit dhe inteligjencës. Shërbimet tona, nuk dua të them se janë më të forta se të tjerat në rajon, por guxoj të them se nuk janë më të dobëta”, tha Vuçiq, transmeton AP..
Sipas pretendimeve të tij, intelegjenca kosovare po bën punë “serioze”, sidomos me “infiltrimin në jug”, duke shtuar se “ata po tentojnë të depërtojnë edhe në veri duke blerë njerëz, para së gjithash, në Leposaviq e Zubin Potok”.
Vuçiç ka folur edhe për urdhërarrestin ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, çështje për të cilën tha ishte një vendim i keq “politik” për ata që e morën dhe që mendojnë se janë afër fitores.
“Kjo çon vetëm në përshkallëzim të mëtutjeshëm. Sot ose nesër, kur të uleni për të biseduar, do të duhet të flisni me Putinin. A mendoni si të flisni me të nëse e lini atë urdhëarrest? Si të bëni një marrëveshje? Pse e keni kufizuar veten?”, theksoi ai, ndërsa shtoi se “të gjithë janë shumë larg fitores”.
“Ju sapo keni marrë një angazhim dhe si do ta zbatoni atë, sa jetë rusësh e ukrainasish do të kushtojë, si dhe sa jetë tjera për shkak të ekonomisë. As rusët nuk janë afër fitores. Në luftë herë dikush fiton, herë humbin të gjithë dhe kjo është një luftë në të cilën të gjithë humbin”, tha Vuçiç.
Ai ka komentuar edhe deklaratat e opozitarëve serbë të cilët po e cilësojnë atë si të “çmendur”, duke shtuar se kjo ndodh sepse askush tjetër, përveç tij, nuk mund t’i përballonte të gjitha sulmet dhe presionet.