Aleksander Vuçiq ka deklaruar se asnjëherë nuk ka pasur një takim sekret me Hashim Thaçin, pasi sipas tij nëse do të ndodhte një gjë e tillë do të kishin raporte më të mira ndërmjet vete. Ai ka folur edhe për situatën në Kosovë, duke kërcënuar se kushdo që dëshiron ta shkatërrojë Serbinë do të marr përgjigje të fortë.
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë se është i shqetësuar për situatën e krijuar në Kosovë.Ai ka thënë se përballë kanë disa njerëz të papërgjegjshëm të cilën nuk e kuptojnë që situata mund të shkojë drejt një katastrofe që askush nuk e dëshiron.
Këto deklarata të presidentit serb vijnë pas rezistencës së Qeverisë së Kosovës, për të larguar vendimin për taksën.
“Ne asnjëherë nuk i kemi kërcënuar ata, edhe pse dëgjojmë kërcënime nga ta çdo ditë. Dhe unë nuk do t’i kërcënojë ata as sot, por e vetmja gjë që mund ta them përpara kësaj, është që çdo kush që mendon se mund ta shkatërrojë Serbinë , që mendon të sulmojë popullin serb, do të marrë një përgjigje të fortë, dhe ne iu themi që ata të mos e bëjnë një gjë të tillë”, ka thënë Vucic, derisa ka bërë fushatë për projektin e tij të quajtur ‘E ardhmja e Serbisë”, shkruan tanjug, transmeton Gazeta Express.
Sipas tij, Serbia do të jetë çdo ditë e më e fortë, por jo për ta kërcënuar dikënd dhe për të hyrë në konflikte.
Ndër të tjera Vuçiq ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur ndonjë takim sekret me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, siç pretendojnë disa politikanë opozitarë në Kosovë e Serbi.
Ai thotë se një pretendim të tillë e ka mohuar edhe vetë Thaçi.
Sipas tij nëse do të takoheshin ndonjëherë fshehurazi, do të kishin pasur raporte më të mira ndërmjet vete.
Vucic ka folur edhe për çështjen e vazhdimit të dialogut ndërmjet dy shteteve, duke potencuar se nuk është optimist për një gjë të tillë.
Vazhdimisht është përfolur për një takim sekret mes dy presidentëve, takim ku pretendohet se është diskutaur për një marrëveshje sekrete ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ditë më parë historiani dhe profesori i shkencave politike, Florian Bieber, ka thënë se deklarimet e Thaçit për ‘korrigjim të lehtë’ të kufirit, tregojnë që ai ka pasur takime sekrete me Vuçiqin.