Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Prishtina ka sjellë gjithkënd që ka mundur në Konferencën e Sigurisë në Munih.
Sipas mediumit serb “b92”, përcjell Klan Kosova, ai gazetarëve serbë, gjatë një pauze të takimeve në margjinat e konferencës së sigurisë në Munih, ka thënë se e ka takuar shkurt Enver Hoxhajn, por se aty janë edhe Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj.
“Ata janë duke bërë një punë serioze, kanë këtu në Munih një konsull të jashtëzakonshëm, kanë sjellë të gjithë ata që kanë mundur, por dhe Hoxhajn, për shkak se e flet në mënyrë të përsosur gjuhën gjermane. Kjo nuk është për t’u nënvlerësuar… Ata thonë atë çfarë evropianët duan të dëgjojnë”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti serb ka shtuar se sonte deri në orët e vona ka për të punuar në atë që është më e mira për të marrë nga Serbia në panelin e nesërm, në të cilin marrin pjesë bashkë me Hashim Thaçin.
“Ne do të themi, natyrisht, të vërtetën, por ne do të zgjedhim taktikat më të mira për Serbinë”, tha ai.
Ai ka folur edhe rreth platformës së dialogut të hartuar nga Prishtina, për të cilën ka thënë se “Platforma shqiptare është kundër dialogut”.
“Ata thonë se – çdo gjë duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e tyre, që duhet të ruhet, siç thonë ata, integriteti territorial dhe sovraniteti”, ka thënë ndër tjerash Vuçiq.
Ndryshe, platforma e hartuar nga ekipi negociator i Kosovës, përcakton parimet dhe qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut.
Përmes saj synohet arritja e konsensusit sa më të gjerë politik dhe shoqëror në procesin e dialogut me Serbinë.
Ndryshe, në këtë draft-dokument thuhet se qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme.
Më tej, ndër tjerash thuhet se Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet të jetë e qartë dhe pa dykuptimësi.