Vuçiq i nervozuar flet për vendimin e 16 shtatorit: Thaçi mund të shpallet kryesisht i pafajshëm

Prishtinë | 28 Gus 2026 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

Është raportuar dhe dokumentuar se Serbia, përmes mekanizmave të saj, ka tentuar të ushtrojë ndikim në zhvillimet që lidhen me Gjykatën Speciale në Hagë. Organizata prestigjioze britanike Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC) ka ngritur shqetësime lidhur me përdorimin e dokumenteve nga Serbia në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas BHRC-së, të paktën 2,356 dokumente të siguruara nga burime të lidhura me Serbinë janë pranuar si prova nga Gjykata Speciale në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Së fundmi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, duke bërë deklarata lidhur me zhvillimet e pritshme në proces.

Vuçiqi ka përmendur datën 16 shtator, duke deklaruar se në këtë datë është caktuar shpallja e aktgjykimit ndaj Thaçit dhe të bashkëakuzuarve të tjerë.

Sipas Vuçiqit, Thaçi mund të marrë një dënim që do të mbulohej nga koha që ai tashmë ka kaluar në paraburgim, ndërsa për pjesën tjetër të akuzave mund të shpallet i pafajshëm.

Vuçiqi duke u viktimizuar e ka interpretuar këtë si pjesë të një qasjeje politike të Perëndimit, duke pretenduar se synimi është që përgjegjësia për konfliktin në Kosovë t’u atribuohet kryesisht serbëve.

“Nuk është fundi, sepse, siç kam mësuar, për 16 shtatorin kanë caktuar shpalljen e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe, siç kam mësuar, për t’ia mbuluar ditët e kaluara në burg, ndërsa për pjesën tjetër do të ketë pafajësi. Perëndimorët duan të na thonë: ‘Ju serbët jeni të vetmit fajtorë’”, ka deklaruar Vuçiqi.

Deklaratat e presidentit serb ngrenë pikëpyetje lidhur me burimin e informacionit të tij dhe mënyrën se si ai pretendon se ka marrë të dhëna mbi një proces gjyqësor që zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe me procedura konfidenciale.

Të ngjashme