Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, frikësohet se në periudhën e ardhshme do të ketë presione të ndryshme politike [mbi Serbinë] për çështjen e Kosovës.
Siç raportojnë mediat serbe, Vuçiq ka deklaruar se ka marrë disa paralajmërime të pakëndshme në lidhje me Kosovën, por nuk ka specifikuar se për çfarë mendonte kur e tha këtë, transmeton Telegrafi.
“Gjithçka rreth Kosovës po ec, por kam frikë se këto ditë do të fillojnë me çudira të ndryshme … Bëhet fjalë për ngjarje politike. Lloje të ndryshme të presionit rreth Kosovës… Por ne do të luftojmë deri në fund, dorëzimi nuk është një opsion”, tha Vuçiq.
Më tej presidenti serb tha se “nëse nuk do ta kishim problemin rreth Kosovës, i cili pritet të na përplaset në kokë, do të mund të flisja sa ka përparuar Serbia dhe sa do të përparojë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçi, dy ditë më parë, ka thënë se është i gatshëm të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti nga mesi i muajit qershor.
“Jam duke pritur që të më njoftojnë. Nëse do të jetë një ditë pushimi për mua do të shkoj, por nëse jo atëherë do të kërkojë që takimi të caktohet për një ditë tjetër”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se ai është gjithmonë i gatshëm për bisedime dhe dialog”, kishte deklaruar presidenti serb.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i parë mes kryeministrit të Kosovës, Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të ndodhë para datës 22 qershor, dhe në këtë mënyrë të shënohet edhe rifillimi i dialogut.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur dhjetë vjet më parë. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve.