Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, e ka quajtur si kalkuluese lëvizjen e djeshme të kryeministrit Albin Kurtit, i cili mori vendim për heqje të pjesshme të taksës 100 %, fillimisht për produktet bazë që importon Kosova nga Serbia.
Vuçiq thotë se në mënyrë taktike Kurti e ka marrë një vendim të tillë para nisjes në Washington.
“Një ditë përpara udhëtimit tim në Washington ai vendosi për taksën, në mënyrë që të mos e shtroja si problematikë atje”, ka thënë presidenti serb, duke thënë se vendimi i tij është një përpjekje për mashtrim.
Tutje kreu i shtetit serb ka thënë se Richard Grenell ka plotësisht të drejtë kur e kundërshton një vendim të tillë të Kurtit për heqje të pjesshme të taksës.
Përveç tjerash Vuçiq i ka bërë edhe një pyetje Kurtit rreth asaj se kush e ka këshilluar që ta marrë një vendim të tillë.
“A ishte ide e jotja, apo dikush të ndihmoi?”, ka pyetur Vuçiq.
Vendimi i Kurtit për heqje të pjesshme të taksës është mirëpritur nga BE’ja ndërkohë u kundërshtua nga emisari i presidentit Trump për dialogun, Richard Grenell. (GE)