Vuçiq: Lajçaku i shqetësuar për situatën në veri, por jo sa unë

Prishtinë | 12 Maj 2023 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Në Presidencën e Serbisë ka përfunduar takimi mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të dërguarit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Pas takimit, Vuçiqi doli para mediave, duke thënë se është “shumë i shqetësuar” me situatën në Kosovë.

“Jam shumë, shumë, shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë dhe Metohi, veçanërisht në veri”, tha Vuçiqi, raporton Klankosova.tv.

“Ia kam thënë këtë edhe Lajçakut, se brenga ime vjen nga nevoja pasionante e Kurtit për të krijuar konflikte dhe pasione për të filluar një luftë, një konflikt në të cilin ai do të ishte heroi i madh shqiptar”, tha Vuçiq.

Ai foli edhe për shpronësimet në pjesën veriore të Kosovës, duke thënë se edhe kjo gjendje e shqetëson atë.

“Më shqetëson marrja me dhunë e lokaleve, posaçërisht më shqetëson që QUINT-i shitet naiv sepse ndonjëherë edhe dalja me 3.5% është e mjaftueshme për zgjedhje legjitime, e ndonjëherë as 50% nuk është afër legjitimit që kërkojnë”, thotë ai.

Siç shtoi ai, “ne kemi hyrë në një rreth vicioz sepse Kurti nuk dëshiron të formojë Unionin e Komunave Serbe (AKS).

“Ai qysh nesër planifikoi sulmin në Zveçan sepse atje kandidati i tij ka fituar. Ai ka planifikuar për nesër, por s’e di a do të veprojë apo jo”.

“Sa i përket Lajçakut, ai është i shqetësuar. Ai ka biseduar me serbët në veri, me njerëz të Listës Serbe e të tjerë, dhe të gjithë i kanë thënë njëjtë. Ai e ka parë vendosmërinë e serbëve për ta kundërshtuar terrorin e Kurtit për okupim të plotë, dhe është i shqetësuar”.

“Ai është i shqetësuar, por jo sa unë. Nuk thash pa qëllim që në fillim që kur dikush dëshiron përleshje pothuajse me çdo çmim, sikurse Albin Kurti, dhe sado që ikni e tentoni të ruani paqen, më sqaroni tash mua se si është e mundur që disa shtete të QUINT-it thonë se ato janë zgjedhje legjitime me 3.5 për qind”, deklaroi Vuçiqi para gazetarëve.

“Por, kjo pranohet sepse ata thonë ‘ata janë tanët, dhe me meqë janë shqiptarët tanët, mund të bëjnë çfarë të duan, mjaftojnë edhe 3.5 për qind’”, tha presidenti serb.

Të ngjashme