Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se do të kërkojnë mbledhje të veçantë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Si arsye, ai përmendi ngjarjet e fundit në veri.
Ish-ministri i propagandës së Millosheviqit në një dalje për mediat, u shpreh se do të takojnë sot (e mërkurë) edhe përfaqësuesit serbë të Kosovës, që si zakonisht pritet të jenë Lista Serbe.
Megjithëse u rezervua për detajet, Vuçiq u shpreh se mbledhja do të mbahet “në një moment të mirë” për Serbinë pa konfirmuar se kush do të jetë kryesues apo kohen kur do të mbahet.
“Ne do të kërkojmë mbledhje rreth ngjarjeve të fundit sa i përket Kosovës dhe rreth kësaj do të kemi takim sot edhe me përfaqësuesit serbë nga Kosova, dhe ta informojmë edhe (të ashtuquajturën) zyrën për Kosovën për shkak të presioneve të mëdha që po i përjeton populli ynë në Kosovë, vazhdimit të provokimeve të Kurtit dhe të tjerave. Do ta zgjedhim momentin më të mirë. Nuk do të kisha sqaruar detajet, kush kur do të kryesojë, kush dhe kur do të jetë prezent dhe kush jo, në momentin kur neve do të na leverdisë, atëherë do të kërkojmë mbajtjen e takimit në një afat kohor të afërt dhe rreth kësaj do të jeni të informuar me kohë”, tha Vuçiq.
Gjithashtu, Vuçiq në lidhje me komentet e eurodeputetes Von Cramon e cila ngriti dyshimet se presidenti serb i ka ofruar armë Ukrainës në këmbim të mosnjohjes së Kosovës, ish-ministri i Millosheviqit tha se këto komente tregojnë “se sa shumë Cramon e urren Serbinë”.