Vuçiq: Mini-Shengenit do t’ia ndryshojmë emrin, e emërtuam gabimisht

Prishtinë | 30 Qer 2021 | 14:50 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se nismës ‘Mini-schengen’, do t’ia ndërrojnë emrin.


Në një intervistë për EuroNews Serbia, Vuçiq është shprehur se ‘Mini-schengeni’ është emërtuar gabimisht.

“Kësaj nisme, të cilën me shumë mundësi e kemi emëruar gabimisht ‘Mini-Schengen’, bashkërisht do t’i japim emër të ri më 28 dhe 29 korrik në Shkup, në Samitin e ardhshëm.”, ka thënë ai.

Vuçiq ka bërë të ditur se do të dalin me emrin e ri për të cilin janë pajtuar bashkërisht dhe siç thotë ai, do të vazhdojnë të punojnë me besimin më të madh tek njëri-tjetri.

Sipas Vuçiq, ‘Mini-Schengeni’ është thuajse ide epokale, pasi akuzon fuqitë e mëdha të jashtme se kanë dashur të krijojnë ndarje mes ballkanasve, për t’i shfrytëzuar potencialet e vendeve të Ballkanit dhe për të marrë me pak para përfitime maksimale për vete.

“Të gjithë që janë angazhuar për politikën ‘Ballkani për Ballkanasit’ kanë vuajtur gjithmonë sepse fuqi të mëdha të jashtme kanë dashur ndarje mes ballkanasve. Dhe kështu duke u grindur me njëri-tjetrin, kanë shfrytëzuar potencialet e vendeve tona, kanë shfrytëzuar të gjitha dobësitë tona njerëzore dhe me pak para, shumë lirë kanë marrë përfitime maksimale për vete, ndërsa neve na kanë lënë në mjerim, skamje dhe gjithçka tjetër.”, ka thënë presidenti serb.

Nisma “mini Schengen”, e cila aktualisht përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, u nis në 2019 nga të tre vendet si një projekt për të përmirësuar ekonominë dhe bashkëpunimin rajonal.

Ideja e tre vendeve të Ballkanit Perëndimor është krijimi i një tregu të vetëm për të përshpejtuar zhvillimin e tyre ekonomik.

Një ftesë për t’u bashkuar në këtë iniciativë u dërgua edhe në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje.

Kosova u zotua në marrëveshjen e Ëashingtonit për t’ju bashkuar iniciativës së “Mini-Schengen”, por Albin Kurti, kryeministri aktual i Kosovës, që nga fillimi e ka pozicionuar veten si kritik i mprehtë i këtij projekti. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme