Vuçiq në Amerikë: Ndërmjet iluzionit politik dhe realitetit të hidhur

Prishtinë | 04 Maj 2025 | 16:47 | Nga Radomir Dimiq

Askush nuk ka një “mrekulli” më të madhe për president shteti sesa ajo që kanë serbët – Aleksandër Vuçiqin. Si një hije, papritur u gjend në një vizitë private në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Keqdashësit do të thonë se “Çauçeskuja serb” kishte mall për të njëjtën karrige ku, gjatë mandatit të tij të parë presidencial, kishte qëndruar i përulur përballë Donald Trump-it si një xhepist i poshtëruar. Askush nuk e dinte saktësisht pse diktatori serb ishte shfaqur atje, matanë oqeanit. Ndoshta donte edhe një herë t’i mashtronte qytetarët e Serbisë, duke pretenduar se dikush i rëndësishëm nga SHBA-të e kishte ftuar në një pritje speciale apo në ndonjë takim të veçantë. Fillimisht, dikush mund të kishte menduar se e kishte ftuar Trump-i për t’i thënë se e dëshiron Serbinë si pjesë përbërëse të SHBA-ve në vend të Kanadasë.

Fatkeqësisht, dëshira e Vuçiqit për t’u takuar me presidentin amerikan mbeti vetëm një mallkim i tij dhe një shfaqje e një presidenti të humbur nga “Serbia e madhe dhe e çrregullt”.

Në vend që të takohej me zyrtarët më të lartë amerikanë, ashtu siç kishte paralajmëruar, Vuçiqi më 1 maj në Majami mori pjesë në një tubim të Partisë Republikane që është në pushtet në SHBA. E aq shumë ishte përvëluar duke pritur që t’ia puthte dorën Trumpit. Meqë Trumpi nuk e nderoi as me atë karrigen e vogël, çfarë t’i mbetej të gjorit, përveçse të krahasonte veten me Trumpin, duke thënë se fushata mediatike kundër presidentit amerikan Donald Trump “përdor të njëjtat kritika, narrativa dhe thelbin”, si ajo që zhvillohet kundër tij në Serbi.

Krahasimi me Trumpin nënvizon përpjekjen e tij për të u pozicionuar si një lider që nuk trembet përballë presioneve dhe kritikave, si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Në këtë kontekst, ai akuzoi Brukselin se është i fiksuar pas veprimeve të tij në ditët e fundit, për shkak të njoftimit të pjesëmarrjes së tij në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë.

I frustruar nga mungesa e tij në ngjarjet kryesore – veçanërisht protestat studentore që ia kanë humbur toruan dhe janë shndërruar në makthin e tij të përnatshëm – ai deklaroi se këto janë “pamje të trishta të një kohe të kaluar”.

Pra, nuk i vlejti shumë as fakti që djalin e Trumpit e kishte pritur dhe “masazhuar” dy herë në Beograd. I kishin thënë se darka kushtonte një milion. Por kishin harruar t’i thonin se në menu ishte një fotografi me Venson, e jo me Trumpin. Nga gjithçka që shpresonte, mori vetëm një intervistë me të “shenjtën” Marija nga televizioni Pink.

Fiaskon po përpiqet ta mbulojë me historinë se iu përkeqësua gjendja shëndetësore në orët e pasdites, pas së cilës kërkoi ndihmë mjekësore – dhe për këtë arsye duhet të kthehet urgjentisht në Serbi, ndoshta për të përgatitur edhe një miting tjetër në Nish për “Serbinë e tij të madhe, militante dhe diktatoriale”.

Nuk ka shërim për ty, Aleksandër Vuçiq – nëse nuk kishte ilaç në barnatoret amerikane, nuk do ta gjesh as në Serbi. As PR-i më i mirë i krizave nuk do të të ndihmojë, kur nga një krizë kalon në një marrëzi dhe pastaj sërish në krizë, në rreth të mbyllur. Turpërimi i Serbisë dhe përbuzja e qytetarëve që nuk të duan tashmë janë bërë mjeshtëria jote. Këtë herë, udhëtimi në Amerikë të kushtoi mjaft.

Dhe siç tha dikush – gjithçka është e mundur – ndoshta ti, në fakt, as nuk ke qenë fare në Amerikë, sepse duhej që, bashkë me evropianët, të bëje homazhe 16 minuta për viktimat në Novi Sad.

DUKE PASUR PARASYSH SE SËMUNDJA JOTE KA PËRPARUAR, NUK DO TË ÇUDITESHA ASPAK NËSE KE QENË I FSHEHUR NË NDONJË DHOMË NË VRÇININ PERIFERIK.

Njerëzit flasin për gjithçka, por edhe dinë shumëçka.

Ose është sindroma “Moska, 9 Maj” – edhe një tjetër shfaqje e inskenuar nga seria pa fund.

Të ngjashme