Vuçiq: Në industrinë e mbrojtjes këtë vit do të investohen 49.9 milionë €

Prishtinë | 27 Qer 2017 | 14:39 | Nga

Panairi i tetë Ndërkombëtar i armëve dhe pajisjeve ushtarake “Partner 2017”, sot është hapur në Beograd, kurse presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se rritja e numrit të ekspozuesve në panair tregon se sa kjo ngjarje po bëhet prestigjioze, sepse kjo është një vend për mundësitë e prezantimit të industrisë së mbrojtjes së Serbisë, por edhe mundësi për partneritete të reja që kontribuon në rritjen e standardit jetësor të qytetarëve.

Vuçiç ka shprehur bindjen se paniairi është një mundësi për zhvillimin e biznesit.

Sipas tij, kompanitë e huaja në të ardhmen do të mund të marrin pjesë në industrinë e mbrojtjes të Serbisë deri në 49 për qind, në saje të ndryshimeve në ligjin e përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes.

“Ne do të jemi në gjendje të marrim njohuri të huaja, ide dhe para, për shkak se Serbia ka një traditë të gjatë në prodhimin e armëve”, tha Vuçiç duke vlerësuar se kjo do të mundësojë që industria e mbrojtjes të bëhet “motor i ekonomisë serbe”.

Ai paralajmëroi se gjatë këtij viti, industrisë së mbrojtjes do t’i paguhen 49.9 milionë euro për përmirësimin e kapaciteteve të saj.

Panairi i tetë do të zgjasë deri më 30 qershor në Panairin e Beogradit, në të cilin marrin pjesë 128 ekspozues nga vendi dhe dhe bota, 91 prodhues nga Serbia dhe 37 nga jashtë. Gjatë panairit, do të paraqiten kapacitetet vendore në fushën e kërkimit dhe zhvillimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, si dhe armëve dhe pajisjeve të prodhuara në Serbi.

Vendet pjesëmarrëse janë Kina, India, Franca, Austria, Zvicra, Finlanda, Suedia, Gjermania, Italia, SHBA, Danimarka, Britania e Madhe, Holanda, Bullgaria, Bosnjë e Hercegovina, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Republika Çeke, Irlanda, Bjellorusia dhe Serbia.

Gjithashtu në panair do të paraqitet modeli i ri obusi i ri “Nora” – topi 155 milimetërsh dhe lançuesi i raketës “Shumadija” prej 300 kilometrash.

Panairi tradicionalisht mbahet nën patronazhin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në bashkëpunim me kompaninë Jugoimport SDPR dhe Panairit të Beogradit.

Në hapjen e panairit morën pjesë Presidenti i Republikës Sërpska Milorad Dodik, ministri i Mbrojtjes të Serbisë, Zoran Gjorgjeviç, ministrja e Drejtësisë Nela Kuburoviç si dhe delegacionet ushtarake të Indisë, Kazakistanit, Algjerisë, Egjiptit, Rusisë, Meksikës dhe Indisë.

Të ngjashme