Vuçiq në një linjë me Angela Merkelin për ndryshimin e kufijve

Prishtinë | 08 Sht 2018 | 16:25 | Nga

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në konferencën e tij për gazetarë të cilën e mbajti në liqenin e Ujmanit ka deklaruar se duhet të ruhet stabiliteti dhe t`i përmirësojnë raportet me shqiptarët.

Vuçiq ka folur edhe për integritetin territorial të Kosovës, ku e ka cituar kacelaren e Gjermanisë Angela Merkel, e cila është kundër lëvizjes së kufijve në Ballkan.

“Nëse Angela Merkel flet për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës, kush jemi ne të themi ndryshe!”, ka thënë Vuçiq.

“Duhet të ruajmë paqen pasi kjo gjendje do të vazhdojë gjatë, andaj duhet të shikojmë të ardhme pasi kufijt do të jenë më pak të rëndësishëm në Evropë”, ka deklaruar Vuçiq.

Ai ka thënë se Serbia ka investuar miliona në Gazivodë dhe se nuk do të lejojnë deklaratat se serbët po e vjedhin rrymën.

“Serbia ka investuar miliona për punët që po behën në këtë pjesë dhe nuk do të lejojmë që të na thonë se po vjedhim rrymën pasi serbet se paguajnë”, ka deklaruar Vuçiq, transmeton kallxo.com.

Ai ka thënë se nuk ka parë kaq shumë gazetarë në një vend dhe i ka falënderuar punëtorët e Ujmanit të cilët i kanë dalë në pritje.

“Punëtorët i falënderoj që kanë dal me më prit dhe banorëve në hyrje që më kanë prit. Gazivoda ka fol për gjatësinë e saj. Gazivoda flet për betejat e renda që i kemi me shqiptarët. Por shpresoj që do të merremi me shfrytëzimin e ujit pasi që shumica e Kosovës e merr ujin nga këtu… Do të jem në çdo pjesë të veriut, do të jem në Skenderaj dhe do të flas se duhet të ruajmë paqen, stabilitetin dhe t`i përmirësojmë raportet me shqiptarët”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq ka thënë se në Bruksel nuk ka shkuar që ta përulë presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Sipas tij kur dikush sillet në mënyrë jo-civilizuese atëherë ai e përulë vetëm veten e tij.

“Nuk e kam përulur Hashim Thaçin, nuk kam shku ta përul dikë. Ata munden veten ta ulin kur sillen jo-civilzueshëm dhe jo mirë. Atë e ka bërë dikush tjetër që i ka përmend vajzat dhe djemtë e dikujt tjetër, ai e ka përulur veten jo ne”, ka deklaruar presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Të ngjashme