Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se nga 27 maji nuk do të jetë më kryetar i Partisë Progresive Serbe, por tha se do të mbetet anëtar.
“Po e formoj Lëvizjen Popullore për Serbinë rreth Vidovdanit, por mbetem anëtar i SNS-së edhe pse shpresoj se do të zgjedhim një kryesi të re. Ajo lëvizje do të jetë më e gjerë se SNS dhe unë do të doja t’i përfshija ata njerëz që nuk janë në SNS. Nuk e di ende se kush do të më zëvendësojë në krye të partisë, por e di që disa nga ata që kanë humbur pozitat e tyre do të largohen nga SNS”, tha Vuçiq për TV Prva, raporton N1.
I pyetur se si do t’u përgjigjej opozitarëve që kundërshtuan legjitimitetin e tij, presidenti serb tha se do të sugjeronte fillimin e procedurës kushtetuese.
“Ata kanë nevojë për dy të tretat e deputetëve, le t’i mbledhin të gjithë 85-të dhe unë do t’i shtoj sa të duhet nga SNS”. Kur të votojnë se legjitimiteti im është i dyshimtë, ne do të shkojmë në një referendum për të parë nëse populli dëshiron shkarkimin e presidentit. Do të jem president përderisa populli të më dojë dhe kur populli të mendojë se jam tradhtar, hajdut dhe se nuk luftoj për interesat e tij, atëherë do të pushoj së qeni president”, tha Vuçiq.