Vuçiq padit vetveten, kjo është arsyeja

Prishtinë | 03 Gus 2021 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Partisë Përparimtare Serbe, Millosh Vuçeviq, tha se në Prokurorinë Publike janë dorëzuar kallëzime penale ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ministrit të Brendshëm, Aleksandar Vullin.

Partia Përparimtare Serbe udhëhiqët nga presidenti, Aleksandar Vuçiq. Ai më herët kishte paralajmëruar se do të paraqesë një kallëzim penal kundër vetes për shkak të akuzave se ka bashkëpunuar me një rrjet të krimit të organizuar.

Vuçeviq, kolegu i partisë së Vuçiqit, tha se kallëzimi penal përmban akuzat “të publikuara pjesërisht në media, dhe pjesërisht nga përfaqësuesit e ish-regjimit (opozitës)”, të cilat ndërlidhin presidentin e Serbisë dhe ministrin Vullin me grupin e Veljko Bellivukut.

Prokuroria akuzon grupin e Belivukut për krimet më të rënda – ndër të tjera, vrasje dhe trafik droge.

“Ne po i kërkojmë prokurorisë kompetente që të vërtetojë të gjitha faktet dhe t’i ofrojë publikut përgjigjen që meriton”, tha Vuçeviq.

Pse Vuçiq vendosi ta padisë vetveten?

Zyra e Prokurorit për krim të organizuar në Beograd ka akuzuar më 30 korrik, Veljko Belivukun dhe grupin e tij në një rast të profilit të lartë.

Kështu raportuan agjencitë e lajmeve në Serbi, por detaje të aktakuzës nuk janë publikuar.

Aktakuza sipas procedurës është dorëzuar në departamentin special të Gjykatës së Lartë në Serbi për konfirmim.

Belivuk dhe 30 persona të tjerë ishin të dyshuar dhe nën hetim për pesë vrasje të rënda, trafikim të armëve dhe të drogës, një kidnapim dhe një dhunim seksual.

Belivuk u arrestua më 4 shkurt 2021 dhe më shumë arrestime vazhduan më vonë, në një rast që shokoi publikun serb.

Kjo pasi zyrtarë të qeverisë filluan të publikonin fotografi të trupave të gjymtuar dhe viktima që dyshohet se u vranë nga ky grup i organizuar kriminal.

Zyrtarë serbë e përshkruan këtë grup si një nga më të rrezikshmit dhe ekstremisht brutal.

Gazetarë hulumtues në Serbi raportuan se Belivuk dhe disa anëtarë të grupit të tij pretendohet se gjatë seancës gjyqësore deklaruan se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë kërkuar[Belivukut] më shumë shërbime.

Këto shërbime përfshijnë kontrollimin e huliganëve të futbollit dhe protestave antiqeveritare.

Presidenti i Serbisë si dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandër Vulin i mohuan këto pretendime.

Opozita në Serbi kërkoi hetim në këto pretendime që e lidhin Belivukun me zyrtarë të lartë shtetërorë.

Belivuk dhe grupi i tij po ashtu ishin të lidhur me një ndër grupet e organizuara kriminale në Ballkanin Perëndimor- Kavaccartel- që po e luftonte një grup tjetër- Skaljariclan.

Sipas një hulumtimi të përbashkët të KRIK dhe Shërbimit për Ballkanin të Radios Evropa e Lirë, numri i të vdekurve nga vrasjet në stilin mafioz në Serbi dhe Mal të Zi në dekadën e fundit është të paktën 175.

Pas aktakuzës, të pandehurit kanë tetë ditë për t’u përgjigjur. Pastaj, brenda dy javëve gjykata relevante e konfirmon ose e hedh poshtë aktakuzën.

Nëse aktakuza konfirmohet, gjykimi duhet të nisë brenda një muaji.

Të ngjashme