Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të përballet në të njëjtin panel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Kurtin e Vuçiqin do t’i bëjë bashkë tryeza e quajtur “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor” që mbahet të mërkurën në orën 07:30.
Pra kësaj tryeze, Vuçiq ka thënë për mediat serbe se “Kurti do të thotë gjëra të tmerrshme për Serbinë”, që ai thotë se i ka dëgjuar 500 herë deri më tani.
“Do të flasë gjëra të tmerrshme për Serbinë, i kam dëgjuar ato 500 herë. Do të thotë se Putini i vogël do të bëjë luftëra në Ballkan me urdhër të Putinit të madh, kjo është ajo retorika. Në do të flasë ashpër dhe kaq. Për mua është me rëndësi që këtu kam pasur takime të rëndësishme dhe se të gjithë shohin veten, se si do ta mbijetojnë krizën dhe me rëndësi i kam këto bisedime”, ka thënë Vuçiq.
Kurti po qëndron për vizitë zyrtare në Zvicër që nga dita e hënë.
Në këtë vend, shefi i ekzekutivit kosovar do të takohet me përfaqësues të kompanive të ndryshme dhe liderë politikë, po ashtu do të zhvillojë takime me mërgatën.