Vuçiq paralajmëron protesta të reja

Prishtinë | 01 Tet 2021 | 08:24 | Nga Ekonomia Online

Me ceremoni pompoze u firmos dokumenti për fillimin e modernizimit të hekurudhave në jug të Serbisë.


Projekti – që është segment i korridorit 10 që lidh Austrinë me Greqinë – do të financohet nga Bashkimi Evropian në emër të të cilit nënshkroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen.

Nënshkruesi tjetër është presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i cili në Nish kishte caktuar edhe një tjetër aktivitet nga ku foli për marrëveshjen që vendi i tij e arriti në Bruksel me palën kosovare lidhur me targat.

Me rezultatin e ujdisë u shfaq i kënaqur, derisa tha se u arrit që të paktën në veri të lejohet lëvizja e rreth 9 mijë makinave me targa KM, PR e PZ që Serbia i lëshon për Mitrovicën, Prishtinën e Prizrenin.

“Pas shumë netëve pa gjumë dhe shumë angazhim kjo çka kemi arritur është më e mira që mund ta arrinim. Këtë e dinë populli serb dhe kryetari i Listës Serbe Goran Rakiq me të cilin bisedova me telefon. Jam i lumtur për marrëveshjen e arritur”, tha Vuçiq.

Presidenti serb shpalosi edhe një pjesë të bisedimeve, siç thotë ai, që i pati me palët ndërkombëtare që ndihmuan në ujdi.

“Ne ia kemi bërë të qartë NATO-s dhe gjithë të tjerëve se nëse vjen deri te cenimi i sigurisë së serbëve në Kosovë dhe të tjerët nuk e kryejnë punën e tyre pra KFOR-i sipas mandatit të OKB-së që e ka, atëherë ne vetë do të jemi të gatshëm ta ruajmë popullin tonë”.

Vuçiq paralajmëroi sërish acarim të situatës në rast se zbatohet vendimi i gjykatës e cila dënoi deputetin Ivan Todosijeviq me dy vjet burgim për shkak se e quajti trillim Masakrën e Reçakut.

“Shpresojmë se ata do ta kuptojnë mirë se Prishtina nuk mund ta arrestojë atë njeri dhe ta fusë në burg Ivan Todosijeviqin, sepse nëse kjo ndodh rezistenca e popullit serb do të jetë më e fortë”.

Beogradi do që të rivendoset për këtë rast ku në panelin apelues do të ishin dy gjyqtarë serbë dhe një shqiptar, sipas marrëveshjes së Brukselit për drejtësi.



Të ngjashme