Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është shprehur se së shpejti do të vijë në Kosovë.
Kështu u shpreh ai pasi përfundoi konferenca për media pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Meqë nuk pranoi që t’i bëheshin pyetje shtesë, Vuçiq ka ftuar gazetarët kosovarë që të shkojnë në Serbi, aty ku tha se do t’i përgjigjej në të gjitha pyetjet.
“Katër pyetje mi ke parashtruar. Eja në Beograd te unë dhe do të të përgjigjem në gjithçka”, iu drejtua Vuçiqi, gazetarit të Klan Kosova, Gazmend Syla.
“Eja në Prishtinë dhe do t’ju bëjmë më shumë pyetje”, ia ktheu gazetari Syla.
Ndaj kësaj Vuçiq u shpreh se do të vijë në Graçanicë së shpejti. “Sapo të më jepni atë leje demokratike, do të vi në Graçanicë dhe pastaj edhe në Prishtinë”.
“A e keni pyetur Kurtin për të?”, e pyeti gazetari.
“Nuk mund ta pyes Kurtin, e pyes popullin tim dhe populli do që të më sheh”, u përgjigj presidenti i Serbisë.