Vuçiq për vizitën e “pesëshes”: Të shohim se si do të jetë pako dhe çfarë sjellin

Prishtinë | 11 Tet 2023 | 14:48 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, teksa është pyetur për vizitën e “pesëshes së madhe” që pritet t’i bëjë Serbisë në fund të muajit.

Vuçiq ka thënë se përballet vazhdimisht me presione dhe se do të shohë se me çfarë pako do të vijë “pesëshja”.

“Është puna ime të përballem me presione të jashtme, të përballem me ata që duan ta shkatërrojnë Serbinë në mënyra të ndryshme. Nuk besoj se kështu është rasti me ‘pesëshen’. Besoj se ata duan t’i shtrojnë në një mënyrë tjetër problemet rreth zgjidhjes së krizës në Kosovë. Të shohim se si do të jetë pako dhe çfarë sjellin”, ka thënë Vuçiq, shkruan “B92”.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe emisarët e presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, do ta vizitojnë Serbinë në fund të muajit tetor, kishte raportuar mediumi serb “Novosti”.

Vuçiq ndërkohë ka thënë se dikush nga Serbia i ka shkruar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe ka kërkuar sanksionimin e Serbisë.

“Dikush i dërgoi Borrellit letër nga ky vend. Jo të vendosen sanksione ndaj Kurtit, e as atyre që keqtrajtojnë njerëz. Ata kanë shkruar që të vendosen sanksione ndaj vendit të tyre. E kuptoni? Nëse Qeveria mund të rrëzohet ashtu, vetëm që ata të marrin diçka për vete, është kaq e papërgjegjshme dhe joserioze”, ka thënë Vuçiq.

“Unë jam shumë i butë kur flas për këtë, ata meritojnë një përgjigje shumë më të ashpër. Ne duam të jemi të qetë e të denjë dhe të përpiqemi të dalim nga një situatë e vështirë për ne. Kjo është gjëja më e rëndësishme”.

Të ngjashme