Serbia është bërë shteti i parë evropian, i cili mbajti zgjedhje, pas izolimit si pjesë e parandalimit të përhapjes së koronavirusit, tre muaj më parë.
Edhe në këto zgjedhje parlamentare pritet fitorja e partisë udhëheqëse.
Por përgatitjet për zgjedhje ngjallën reagime të ashpra në vend, rajon e përtej, ngase pritej që në këto zgjedhje të merrte pjesë edhe Dragan Vasilkoviq, i njohur si ‘Kapetan Dragani’, i dënuar me 13 vjet burgim për krime lufte, raporton KOHA.
Ish-komandanti paramilitar ishte liruar nga burgu në Kroaci pasi shërbeu dënimin e tij dhe planifikonte të garonte për ulëse në Kuvend, por kjo, megjithatë, nuk ndodhi.
Vendvotimet, për dallim nga herët e shkuara, ishin të pajisura me maska dhe dezinfektues duarsh, për nevojat e 6.6 milionë votuesve në Serbi, shumica e të cilëve, megjithatë, e kanë shmangur daljen në votim kryesisht shkaku i frikës nga infektimi i mundshëm me koronavirus.
Sipas monitoruesve të pavarur të zgjedhjeve dhe Komisionit Zgjedhor, në zgjedhjet parlamentare serbe deri në orën 15 kishin dalë për të votuar rreth 30 për qind e votuesve.
Por dalja e ulët në zgjedhje nuk është goditur vetëm nga pandemia, por edhe nga thirrjet për bojkot të disa partive opozitave, e që argumentojnë se zgjedhjet nuk janë të lira e të drejta shkaku i qëndrimeve të ashpra të presidentit Aleksandar Vuçiq ndaj mediave.
Por votuesit serbë tashmë tradicionalisht përkrahin përpjekjet e presidentit që ta anëtarësojë vendin në BE, derisa njëkohësisht ruan raportet e mira me Kinën dhe Rusinë.
Sidoqoftë, qeveria e ardhshme serbe do të ballafaqohet me rritjen e presionit nga BE-ja dhe SHBA-ja të normalizojë raportet me Kosovë, ndryshe proces i parë si kryesori për stabilitet në rajon.
Sipas sondazheve të fundit, konservatorët e Vuçiqit të mbledhur rreth Partisë Përparimtare Serbe mund të fitojnë deri në 50 për qind votash në këto zgjedhje, të nxitura edhe me kënaqësisë që qytetarët e kishin se si autoritetet janë ballafaquar me pandeminë.
Partia Socialiste e ministrit aktual të Jashtëm, Ivica Daçiq, pritet të renditet e dyta.
Partia opozitare, Aleanca Patriotike Serbe, e udhëhequr nga Aleksandar Shapiq, prefekt i Beogradit të Ri, ndryshe komuna më e banuar në vend, parashihet të renditet e treta.
Vetë Vuçiqi nuk merr pjesë në këto zgjedhje, por partitë opozitare e kanë akuzuar shpesh se është duke e shfrytëzuar pozitën e presidentit për të promovuar partinë e tij.
“Unë besoj në tregimin e suksesit. Besoj në rezultate të mirë. E shoh se njerëzit prisnin në radhë të gjata për të votuar. Andaj pres edhe dalje më masive në zgjedhje, dhe them se kjo është e rëndësishme edhe për mua si president, por edhe si kryetar i partisë që njerëzit të vlerësojnë punën tonë, sepse përgjatë 4 vjetëve të shkuara kemi punuar për të ardhmen”, ka thënë Aleksandar Vuçiq.
Serbia, me 7.2 milionë banorë ka raportuar më shumë se 12 mijë të infektuar me COVID-19 dhe 260 banorë kanë vdekur nga pandemia. Por ishte shteti i parë evropian që hapi kufijtë dhe hoqi izolimin.