Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se Beogradi nuk është aspak i kënaqur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, dhe se një akt i tillë nuk do të ketë ndikim pozitiv në raportet e Serbisë me Izraelin.
“Kjo ka qenë e pritur që gjashtë muaj. Për këtë arsye ne në Uashington (më 4 shtator 2020) nuk kemi dashur të nënshkruajmë një dokument të përbashkët me shqiptarët dhe amerikanët. Nuk kemi dashur të inkurajojmë, por të dekurajojmë që Izraeli të bëj një veprim të tillë, por ja që Izraeli vendosi që Amerika është më e rëndësishme”, tha Vuçiq për Pink TV.
Këto komente presidenti Vuçiq i bëri pas një takimi me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, në Paris.
Të hënën, më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, formalizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.
Në një konferencë për media, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tregon qartë për efektin dhe rëndësinë që ka marrëveshja e 4 shtatorit 2020 e arritur në Uashington.
Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit ishte paraparë me këtë marrëveshje të cilën e kishin ndërmjetësuar Shteteve e Bashkuara, dhe e cila ishte nënshkruar nga Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas Vuçiqit pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael, asnjë vend mysliman nuk do të dëshirojë ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Lidhur me bisedimet që ka pasur me presidentin francez, Vuçiq tha se ai beson në rolin e rëndësishëm të Macronit dhe Francës në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
“Macron ka ambicie të mëdha dhe e njeh gjeopolitikën në mënyrë të përsosur. Ndryshe nga të tjerët, ai nuk ka frikë të gjejë zgjidhje alternative. Do të ishte mirë nëse ai do të kishte më shumë liri në atë lloj veprimi politik”, tha presidenti i Serbisë.
Presidenti Macron gjatë një adresimi para gazetarëve në Paris, para takimit me Vuçiqin ka thënë se në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit është e rëndësishme që të arrihet një zgjidhje për të cilën bien dakord të dyja palët.
“Në këtë çështje, të vetmet zgjidhje që çojnë në përpara, janë zgjidhjet për të cilat të dyja palët pajtohen, dhe të cilat do të na mundësonin të zgjidhim përfundimisht këtë çështje të rëndësishme që është në zemër të Evropës”, ka thënë Macron.
Ai u tha gazetarëve se ai gjithashtu do të angazhohej dhe do të siguronte mbështetje për të gjithë ata që janë të interesuar në zgjidhjen e çështjes së marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.
Bisedimet e fundit të tyre, Vuçiq dhe Macron i kanë pasur në korrik të vitit 2020 kur u mbajt një video-samit për Kosovën dhe Serbinë, i organizuar nga Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Macron zhvilloi një vizitë dy-ditore në Serbi më 15 korrik 2019.
Dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.
Takimi i fundit ndërmjet krerëve shtetërorë të këtyre vendeve është zhvilluar në shtator të vitit të kaluar. Prej atëherë, nuk është mbajtur takim i nivelit të lartë.
Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës, Brukseli zyrtar ka paralajmëruar se nuk do të ketë takime në kuadër të dialogut.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt.