Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, pas mbledhjes që ka pasur sot me këshillin e sigurisë të Serbisë ka folur edhe për çështjen e targave. Ai ka treguar se është duke e vëzhguar një proces të tillë, duke dhënë detaje me orë dhe datë.
Siç ka treguar Vucic “deri në orën 08:00 të datës 10 shtator dy persona kanë raportuar për ndërrim të targave, njëri në veri dhe tjetri në jug”, shkruan N1, transmeton Express.
Vucic ka thënë se personi që jeton në pjesën veriore dhe që ka ndërruar targat “është pjesë e institucioneve shqiptare”.
Ai ka shtuar tutje se serbët s’janë të interesuar që t’i ndërrojnë targat.
“Me gjithë propagandën dhe gënjeshtrat e Kurtit nuk gjetën njeri. Është e qartë se populli serb dëshiron, dhe unë u thashë përfaqësuesve ndërkombëtarë se populli serb dëshiron respektimin e ligjit ndërkombëtar”, ka thënë Vucic.