Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot do të takohet me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Ai do t’i mbledhë ata për të folur rreth bisedimeve të mbajtura të enjten në Bruksel me kryeministtin e Kosovës Albin Kurti.
Më pas, Vuçiq do të mbajë fjalimin e paralajmëruar nga e enjtja, njofton Klankosova.tv.
Po atë ditë, kreu i shtetit serb, ka thënë se 18 gushti ka qenë ditë e vështirë në Bruksel, por do të përmbahet nga çdo koment.
Përmes një video-mesazhi në Instagram, ai ka paralajmëruar se do të deklarohet në 48 orët e ardhshme.
“Një ditë e vështirë është prapa nesh, ishte një ditë e vështirë për të gjithë qytetarët dhe për mbarë vendin tonë, nuk mund të them se ka përfunduar me sukses, por përmbahem nga komentet e tjera, sepse shpresoj se është e mundur që me ndonjë mrekulli të arrijmë një zgjidhje kompromisi. Andaj do të vazhdoj të luftoj për paqe dhe stabilitet”, ka thënë ai përmes një video-mesazhi në Instagram.
Ndonëse biseduan për rreth disa orë, Kosova dhe Serbia nuk arritën të enjten ujdi për targat dhe dokumentet serbe.