“Në Prishtinë priten trazira të mëdha, atje legjitimiteti është i lëkundur”.
Kështu u shpreh presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, në një emision në televizionin publik të Serbisë.
Duke komentuar tentimet për formimin e qeverisë së re në Kosovë, Vuçiqi kujtoi se kjo marrëveshje po bëhet pa Albin Kurtin, partia e të cilit ka më së shumti vota.
“Këtu është problemi me legjitimitetin. Nuk u gëzohem trazirave dhe turbulencave në Prishtinë. Nëse kemi stabilitet në Prishtinë, do të kemi edhe partnerë për dialog”, tha presidenti serb, transmeton Zeri.info.
Në këtë emision, Vuçiqi bëri të ditur se ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me të dërguarin special të presidentit amerikan Donald Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, si dhe me të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak, por nuk dha detaje se për çfarë është biseduar konkretisht. Megjithatë, tha se do të donte të krijohen kushtet për lëvizje të lirë të mallrave dhe kapitalit.
“Do të ketë shumë probleme. Nuk do të jetë lehtë”, vlerësoi Vuçiqi.