Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq gjatë intervistës për “TV Prva” është pyetur edhe për ndalimin që iu bë të birit të tij Danilo nga Policia e Kosovës më 28 qershor për Vidovdan.
Danilo ishte parë në Graçanicë me një maicë me mbishkrim “Dorëzimi s’është opsion”. Policia e Kosovës ndaloi Danilon dhe ia hoqi maicën.
Vuçiq tha se Danilos ia drejtuan armën, por “ai nuk dorëzoi as maicën e as flamurin e Serbisë”.
“Nuk ia hoqën maicën, është gënjeshtër. As maicën e as flamurin e Serbisë s’do t’ia japë askujt derisa është gjallë. Është vendimi i tij, ai shkon atje që nga viti 2011. Ai shkon në çdo Vidovdan tash e 13 vjet, sepse po thonë se ishte provokim. Nuk ofendoi njeri. Kishte veshur një maicë që më duket se e mban çdo vit dhe menduan se do t’ia hiqnin. E kam lutur të mos shkonte, por ai donte. E kanë ndjekur gjatë gjithë kohës nga kufiri. Kemi dokumentime me foto e video për çdo gjë, e kanë fotografuar madje edhe me kë është përshëndetur. Vërtetë iu drejtuan armë”.