Vuçiqi thotë se do të takohet me Thaçin në Austri para takimit në Bruksel

Prishtinë | 25 Gus 2018 | 18:34 | Nga

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të qëndrojë për vizitë në Austri, ku sot pritet të marrë pjesë në forumin evropian Alpbach 2018.

Duke folur për mediat nga Alpbach, Vuçiqi tha se në Forum do të bisedojë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

“Një nga pikat e vështira është Kosova, padyshim se do të jetë një prej temave kyçe edhe me Sebastian Kurzin, Johannes Hahnin, me presidentin e Austrisë [Alexander] Van der Bellen, me Borut Pahorin, e kuptohet që edhe me zotëri Thaçin, sepse me të takimet janë bashkë me përfaqësues të BE-së. Këtu nuk pritet asgjë e lehtë, asgjë e thjeshtë. Por, të shohim nëse mund të përafrohemi diku apo ende jemi të ndarë siç kemi qenë deri më tani”, tha Vuçiqi, raporton mediumi serb “Pink”.

Sipas fjalëve të tij, nuk ka kurrfarë dyshimi se do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin.

“Në tri Forume jemi bashkë, është e pamundshme të mos takohemi. Një nga temat është perspektiva e Ballkanit Perëndimor, temë për të cilën flasim të dy. Do të flasim publikisht, e shpresoj se do të kemi kohë që me ndërmjetësim evropian të bisedojmë edhe për zgjidhjen reale të problemit”, u shpreh Vuçiqi, transmeton Koha.net.

Ai shtoi se dëshiron që në zgjidhjen e çështjes së Kosovës të mendojë “edhe për të ardhmen e fëmijëve tanë”.

“Nuk dua të vajtojmë e qajmë, dua të mendojmë për të ardhmen e fëmijëve tanë, të mos qajmë, të punojmë edhe më shumë dhe t’iu falënderohemi rezultateve të mira, të mos jemi humbës në gjithçka. Do të jap gjithçka nga vetja që qasja që nuk është humbëse dhe nuk është keqbërëse, por qasje e punës, e përgjegjësisë, e seriozitetit, do të fitojë”, tha më tej presidenti serb.

Duke folur për deklaratën e Zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, se nuk do të ketë ndryshim kufijsh, Vuçiqi tha se për këtë temë flitet edhe në Serbi.

“Kur për këtë çështje flasin shqiptarët dhe njerëzit nga Perëndimi, thonë se Kosova është e pavarur dhe se Serbia atje s’ka asgjë. Kur dikush në rajon flet kundër idesë për demarkacion, edhe pse s’dinë asgjë për kuptimin etimologjik të atij termi, ata nuk kuptojnë as politikisht çështjen e demarkacionit, e kuptojnë vetëm demarkacionin që është shumë i keq dhe shumë negativ për serbët, që do të thotë ‘Ju serbët s’keni asgjë’, dhe kjo është ajo që e thonë Limaj e Haradinaj, e që shpesh është konfirmuar nga zyrtarë perëndimorë. Për shumë prej tyre gjithçka ka përfunduar, Kosova është e pavarur. Luftoj dhe mundohem që të fitoj shumë më shumë për Serbinë dhe serbët, dukshëm më shumë se asgjë, për këtë arsye u pengon qëndrimi i Serbisë”, tha ai.

Ai tha se i qeshet kur sheh disa nga rajoni që thonë se janë kundër ndryshimit të kufijve, kufij që sipas tij, “i kanë ndryshuar para 10 e 12 vjetësh, ndërsa tani u pengon që Serbia të fitojë të njëjtën”.

“Tani luftojmë që të ruajmë atë që mund të ruhet, sado dhe sido që të jetë e mundur, kurse ata që do të thonë se Kaçaniku është qendra e Serbisë, flasin njëjtë sikurse Limaj”, u shpreh presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, para gazetarëve në Austri.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme