Mesazhe të shumta urimi ka marrë Bajram Begaj, pasi Kuvendi vendosi që me 78 vota ta zgjedhë në postin presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë.
Një urim në drejtim të tij ka ardhur së fundmi dhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Lideri serb shprehet se është i bindur se së bashku me homologun shqiptar Begaj do të forcojnë marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe do të çojnë përpara nismën e “Ballkanit të Hapur”.
“Ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj President i Republikës së Shqipërisë, me dëshirën që ta kryeni me sukses këtë detyrë të përgjegjshme. Jam i bindur se do të zhvillojmë marrëdhënie të mira dhe miqësore dhe bashkëpunim edhe më të mirë ekonomik në shumë fusha, për të mirën e qytetarëve të vendeve tona.
Me urime për sukses në mandatin tuaj presidencial, pranoni, Shkëlqesi, shprehjet e respektit tim të thellë. Besoj gjithashtu se së bashku do të arrijmë të zhvillojmë të gjitha potencialet e nismës “Ballkani i Hapur”, e cila do të përmirësojë shumë standardet në rajonin tonë”, shkruhet në urimin e Vuçiç./a2cnn