Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Rashit Qalaj në një intervistë për Telegrafin ka folur për gjendjen e sigurisë në veri të Kosovës si dhe paralajmërimet nga ana e Listës Serbe se pjesëtarët e komunitetit serbë nga 1 qershori “do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”.
Qalaj ka thënë se situata në veri të Kosovës është e tensionuar dhe kjo sipas tij nuk është diçka sekrete.
“Nuk është asgjë sekrete. Ne situatën atje e kemi mjaft të tensionuar. Nëse e analizojnë situatën atje, në sipërfaqe duket situatë e qetë. Mirëpo është mjaft e tensionuar, jo tash, por ka disa muaj. Që nga shtatori i vitit të kaluar kemi pas zhvillime të cilat realisht e kanë cenuar rendin dhe ligjin në vend, sidomos në ato pjesë ku kanë ndodhur bllokadat e rrugës e të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur”, ka thënë ai.
Gjithashtu Qalaj foli edhe për procesin zgjedhor që u mbajt në katër komunat veriore. Ai tha se nga aspekti legal dhe formal ka qenë çdo gjë në rregull.
“…Mirëpo i kemi disa kryetarë të zgjedhur tashmë, e që nga aspekti i legjitimitetit lë shumë për të dëshiruar. Konsideroj që procesi ka qenë i suksesshëm në kushtet që është mbajtur edhe pse e dimë që popullata lokale atje, në masë të madhe i ka bojkotuar ato zgjedhje. Disa individë nga vullneti i tyre, e shumica nga kërcënimet e shantazhet që ia ka bërë direkt qeveria e Beogradit dhe presidenti i Serbisë me instrumentet e saj, siç është Lista serbe dhe bota e krimit që operojnë në pjesën veriore”, potencoi Qalaj.
E sa i përket paralajmërimeve të Listës Serbe se nga 1 qershori pjesëtarët e komunitetit serbë “do ta mbrojnë vetën me të gjitha mjetet”, ai tha: “paralajmërimi i Listës Serbe për një zhvillim nga 1 qershori, mendoj që ka lidhje dhe me kryetarët e zgjedhur dhe tash realisht ata kryetar duhet të japin betimin dhe të fillojnë me punë. Por, ka lidhje dhe me shpronësimin e disa pronave atje që në fakt qeveria i ka bërë dhe mendoj që sa i përket pronave publike nuk ka të drejtë askush të kontestojë vendimin e qeverisë. Ndërsa, sa i përket pronave private duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pavarësisht se po ndodhin në veri apo në jug”.
Ish drejtori i Policisë së Kosovës, aktualisht deputet i PDK-së tha se presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe Listës serbe i konvenon që ta ketë veriun e Kosovës të trazuar “me incidente, ndoshta dhe me vdekje”.
Qalaj u shpreh se presidenti Vuçiq është i vetëdijshëm për gabimet që ka bërë, dhe tash siç tha ai është në një represion nga vetë qytetarët serbë.
“Presidenti i Serbisë dhe sidomos Lista Serbe i duhet një veprim i tillë për shkak se ata tash janë të vetëdijshëm për gabimet që i kanë bërë dhe gabimi kryesor sipas meje është që ata i kanë nxitur largimin e punëtorëve të komunitetit serbë nga institucionet e Kosovës. Jam thellë i bindur që ata janë në një represion të madh nga vetë ata banorë e qytetarë që kanë mbetur pa paga”, u shpreh Qalaj nga PDK.
Ai po ashtu u shpreh se Vuciqit i konvenon kjo situatë që ta ketë veriun e Kosovës të trazuar, me incidente ndoshta dhe me vdekje.
“Ndoshta do t’i kishte ndihmuar shumë dhe për shkak të gjendjes që ka atje… Ai në disa intervista ka thënë që është i gatshëm të shkojë në zgjedhje nëse populli i Serbisë vendos. Ju po e shihni që ka zhvillime dhe nga pjesa e opozitës në Serbi, meqenëse nuk ka ndodh moti që të mblidhen një numër kaq i madh i njerëzve atje, në Beograd”, potencoi Qalaj.
Gjatë intervistës ai tha se në anën tjetër Kosova është duke u përballur me shumë probleme dhe siç tha ai situata në veri i konvenon dhe Qeverisë së Kosovës.
“Në anën tjetër Kosova i ka 100 mijë probleme. Situata në veri i konvenon dhe Qeverisë së Kosovës, që të tërheq vëmendje nga problemet reale që është duke u përballë me qytetarët e Kosovës. Nga aspekti ekonomik e kemi gjendjen shumë të keqe. E kemi gjendjen e migrimit që na ka prek secilin në familje. Të rinjtë kosovarë, meshkuj dhe femra, të punësuar dhe jo të punësuar po ikin nga ky vend jo vetëm për shkaqe ekonomike por edhe për shkak të një klime që është krijuar“, theksoi Qalaj.
Mirëpo sa i përket zhvillimeve të fundit në veri Qalaj potencoi: “Nga ana tjetër tërë këto zhvillime që kanë ndodhur në veri në këto dy vite të fundit i kanë shkuar në favor Serbisë. Qeveria e Kosovës ka bërë gabime strategjike sa i përket vendimeve të ligjshme që i ka marrë, por që sipas meje implementimi ka qenë shumë gabim dhe ka ardhur deri te kjo situatë që Qeveria e Kosovës të bie në grackë”.
I pyetur për deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, Qalaj deklaroi: “Ndërkombëtarët tentojnë që të shpikin njëfarë roli teknik, e kjo është e gabuar. Edhe ambasadori amerikan dhe të gjithë ata që janë të përkushtuar për mbarëvajtje dhe ecjen përpara të dialogut mendoj që bëjnë shumë, sidomos në Serbi që ajo të implementojë marrëveshjen e arritur.
Ju e dini që PDK ka pasur shumë rezerva në lidhje me këtë marrëveshje, meqenëse është e pamjaftueshme. Me këtë marrëveshje realisht nuk është që ka fituar Kosova, por e kemi një avancim siç ka qenë liberalizimi i vizave, i cili për mua ishte turpi i BE-së, duke e ditur që Kosova i ka përmbush ato kritere qysh në vitin 2015…”.