Ka shënuar katër gola deri më tani, por tre prej tyre kanë pasur vlerë të madhe për skuadrën e Vëllaznimit të Gjakovës.
Mesfushori ofensiv Lekë Vula të gjithë golat i ka realizuar në pjesën e dytë të këtij edicioni dhe në disa ndeshje është shndërruar në njeriun e momentit te ekipi nga Gjakova, shkruan Koha Ditore.
Rasti më i freskët kur Vula dha “vulë” është ndeshja kampionale e Vala Superligës e luajtur të shtunën, në të cilën Vëllaznimi ia shkëputi një pikë Prishtinës që po lufton për titull.
Vula shënoi në minutën e tretë të kohës shtesë për rezultatin përfundimtar, 2:2. Në minutën e tretë të kohës shtesë, Vula ka shënuar edhe muajin e shkuar në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Kosovës ndaj Dritës, duke barazuar rezultatin në 2:2 dhe pastaj Vëllaznimi siguroi fitoren pas gjuajtjes së penalltive. Në të dyja këto ndeshje, Vula është inkuadruar në lojë pas minutës së 75-të. Mesfushori edhe në ndeshje kampionale ka shënuar ndaj Dritës, në minutën e 86-të, në një ndeshje në të cilën ishte startues te Vëllaznimi. Ai kishte shënuar për t’ua siguruar një pikë gjakovarëve.