Ish shefi i të ashtuqujturës zyre serbe për Kosovë, pastaj ministër i punës, dhe momentalisht i ngarkuar me mbrojtje në qeverinë serbe, Aleksandar Vulin tani po komenton edhe shëndetësinë. Thotë se është “krenar për faktin se spitalet serbe nuk marrin para për terapi kundër COVID-19”.
Ministri serb shërimin pa pagesë e prezanton si “privilegj”, por “harron” që ky shërim në të vërtetë nuk është falas, shpjegon redaktorja e portalit serb “Nova ekonomija” (Ekonomia e Re), Ivana Pavlloviq.
“Qytetarët e Serbisë në mënyrë të rregullt i paguajnë tatimet dhe një pjesë e madhe e këtyre parave shkon në Fondin për Shëndetësi dhe Sigurim, dhe në këtë kuptim shërbimi të cilin e ofron sistemi shëndetësor të infektuarve dhe të sëmurve nga koronavirusi nuk paraqet asnjë privilegj e as mëshirë të këtij pushteti ndaj qytetarëve”, përkujton redaktorja e portalit.
“Serbia sipas pagesave për shëndetësi është mbi mesataren e Bashkimit Evropian, sepse paguan rreth 10 për qind të gjithë buxhetit për këtë qëllim. Kjo është bukur të shihet në letër, por realiteti është ndryshe”, thotë Pavlloviq.
“Mirëpo, kur e shtojmë informatën se 40 për qind të shpenzimeve të shëndetësisë qytetarët e Serbisë plus paguajnë vet, nga xhepi i tyre, kjo tregon se sa është joefikas sistemi shëndetësor i Serbisë, dhe se sa shumë shërbime qytetarët nuk mund të marrin nëpër institucione shtetërore shëndetësore dhe janë të detyruar të kërkojnë këtë shërbim diku tjetër”, shton Ivana Pavlloviq.