Vullnetarja e luftës

Prishtinë | 21 Mar 2022 | 08:12 | Nga Ekonomia Online

Në vitet e fundit një ukrainase kishte migruar për punë në Poloni. Atje ishte e sigurt dhe rehat. Por ka vendosur të kthehet që të luftojë. Këtë e ka bërë për shkak të përvojës ushtarake, por edhe që të luftojë përkrah burrit që është kthyer javë më parë

“Jam ushtare, do të nisem për luftë”, është qëndrim i prerë i ukrainases Rosa Bilousova.

Të shtunën po priste trenin që të kthehej në Lviv nga Polonia.

Teksa mijëra refugjatë po vazhdojnë të arrijnë në Poloni shkaku i pushtimit rus, shumë të tjerë kanë vendosur të kthehen.

Bilousova ishte në mesin e atyre që hipën në trenin në Przemysl, 10 kilometra larg nga pika kufitare me Ukrainën.

Ka punuar dhe jetuar në Poloni, por e ka sosur të kthehet në Ukrainë që t’i bashkohet ushtrisë në Odesa.

“Kam qenë tre vjet në ushtri. Tani po kthehem për ta mbrojtur Ukrainën. Nuk kam çfarë të bëj në Poloni. Ukraina tani është e rëndësishme për mua. Burri është kthyer në shtëpi dhe bashkë do të luftojmë”, ka theksuar Bilousova.

Flet edhe për përvojën e saj ushtarake.

“Di si të mbaj armën. Kjo është arsyeja se përse duhet të luftoj në Ukrainë. Nëse nuk luftojmë ne, kush do të luftojë? Tani duhet të jemi si familje për të mbrojtur Ukrainën nga armiqtë tanë. Nuk ka më frikë, jam infermiere ushtarake, prandaj vendosa të kthehem në Ukrainë”, ka shtuar Bilousova.

Sipas autoriteteve kufitare të Polonisë, 230 mijë ukrainas janë kthyer në vendin e tyre qëkur filloi pushtimi nga Rusia.

Shumica prej tyre besohet se u janë bashkuar forcave lokale, por mbetet e paqartë se sa është numri i atyre që janë kthyer për të luftuar, pasi disa hyjnë e dalin nga Polonia për furnizime me ushqim.

“Për shkak se është mbrojtje territoriale, edhe sikur të mos ketë armë për të gjithë, djemtë tanë janë duke mbrojtur veten me thika që kanë nëpër shtëpi apo me automatikët e vjetër”, ka thënë Bilousova.

Pushtimi i Ukrainës ka detyruar 3.3 milionë njerëz që ta braktisin vendin e tyre. Numri i të vdekurve ende nuk është i saktë, ani pse Ukraina ka deklaruar se mijëra civilë janë vrarë.

Sipas autoriteteve kufitare, vetëm në Poloni janë strehuar 2 milionë refugjatë.

Të ngjashme