Fondi për Ballkanin Perëndimor do të bëjë ndryshime pozitive dhe do të rrisë bashkëpunimin rajonal. Kjo është demonstruar më së miri nga numri i madh i aplikimeve dhe organizatave, që kanë marrë pjesë në thirrjen e parë për Projekt-Propozime Rajonale, interesit dhe pjesëmarrjes së madhe në këtë takim të sotshëm.
Kështu ka thënë zëvendësministrja e Jashtme e Republikës së Kosovës, Rejhan Vuniqi, në sesion informativ të mbajtur në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Prishtinë, në kuadër të thirrjes së dytë për Projekt-Propozimet Rajonale të këtij Fondi.
“Kjo thirrje e dytë brenda vitit të parë të veprimit të Fondit për Ballkanin Perëndimor përbën një tjetër moment të rëndësishëm në jetën e re të këtij Fondi”, ka thënë zëvendësministrja Vuniqi, duke falënderuar drejtorin ekzekutiv të këtij fondi, Gjergj Murra, dhe ekipin e Sekretariatit për punën e madhe, që kanë bërë deri më tash.
“Jam e bindur se aktivitetet e mbështetura, por edhe idetë dhe lidhjet tuaja të propozuara në këtë proces do të ndihmojnë në ndjekjen e qëllimeve të bashkëpunimit rajonal dhe plotësisht e sigurtë se puna juaj dhe interesi i treguar do të sjellin ndryshime pozitive në rajon”, është shprehur Vuniqi.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe Shefi i Misionit/Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Kosovë, Drejtori Ekzekutiv i këtij Fondi, Gjergj Murra, Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Ambasador Albert Prenkaj, ekspertë të Sekretariatit të FBP-së, të cilët në hollësi kanë shpjeguar objektivat dhe përmbajtjen e thirrjes së dytë për Projekt Propozime Rajonale.
Sesioni informativ në Prishtinë është pjesë e prezantimeve informuese rajonale, të cilat përfshijnë Tiranën, Shkupin, Podgoricën, Sarajevën dhe Beogradin. Thirrja e dytë e Fondit për Ballkanin Perëndimor planifikon të mbështesë projektet në këto fusha:
Bashkëpunimi Kulturor;
Shkëmbimet Arsimore dhe Shkencore;
Zhvillimin e Qëndrueshëm;
Fondi për Ballkanin Perëndimor është nismë ndërqeveritare, e themeluar nga Palët Kontraktuese të WB6 (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia).
Kjo është organizata e parë rajonale me seli në Tiranë. Qëllimi kryesor i projekteve është promovimi i vlerave të përbashkëta mes qytetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve në rajon, duke forcuar bashkëpunimin dhe kontaktet mes njerëzve në Ballkanin Perëndimor.
Afati për dorëzimin e Projekt-Propozimeve Rajonale është 13 Dhjetori i këtij viti, ndërsa detajet më të hollësishme mund të gjinden edhe në linkun e mëposhtëm: http://westernbalkansfund.org/