Vushtrria për Ditën e Flamurit: Liderët e UÇK-së mungojnë padrejtësisht në festë

Prishtinë | 28 Nën 2025 | 14:22 | Nga Gzim Mujaj

Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur Akademinë Solemne për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, ku udhëheqës lokalë kanë vlerësuar rëndësinë historike të kësaj date dhe kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari Ferit Idrizi tha se 28 Nëntori përbën datën më domethënëse për historinë e kombit shqiptar, duke e cilësuar si ditën që i lidh ngjarjet më të rëndësishme të formësimit të kombit dhe shtetit shqiptar.

“28 Nëntori është data më domethënëse për historinë e kombit shqiptar, është data që natyrshëm i lidh ngjarjet më të rëndësishme të formësimit të kombit dhe shtetit shqiptar. Flamuri kuqezi, me shqiponjën dykrenare, me fushën e kuqe, nuk është vetëm simbol i identitetit tonë kombëtar, por për më tepër bashkon kujtesën tonë historike ndër shekuj, në të cilën janë zhvilluar të gjitha luftërat e përgjakshme deri te lufta e UÇK-së”, tha ai.

Idrizi e lidhi këtë ditë edhe me zhvillimet aktuale në Hagë, duke e quajtur situatën një padrejtësi historike.

“Kjo datë e rëndësishme ngërthen në vete edhe një dhimbje të pashlyeshme, sepse sot thirret seanca gjyqësore në Hagë për çlirimtarët e cilët e kanë udhëhequr luftën e UÇK-së. Kjo gjyjatë e padrejtë po i mban në paraburgim Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin”, tha ai.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Gzim Zuçaku, u shpreh se festat e 28 Nëntorit nuk mund të jenë të plota pa liderët e luftës.

“Edhe ne sot festojmë këtë datë, 113-vjetorin e ngritjes së flamurit, festojmë 28-vjetorin e daljes publike të UÇK-së, por ne si shoqata të dala nga lufta, dhe secili që ka gjak shqiptari, e dimë që janë të mangëta këto festa sepse e dimë që në mesin tonë nuk janë udhëheqësit dhe bartësit e luftës sonë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi”, tha ai.

Zuçaku shprehu shpresën se kjo mungesë nuk do të zgjasë.

“Shpresojmë që jo vetëm në 28 Nëntorin e vitit të ardhshëm, por shpresojmë që në festat e marsit dhe të pavarësisë së Kosovës të festojmë bashkë. Sepse vetëm kur ata janë këtu, festat janë të plota”, u shpreh ai.

Të ngjashme