Vushtrria po përballet me vërshime, ndërpritet furnizimi me ujë

Prishtinë | 09 Nën 2016 | 12:27 | Nga

Reshjet e pandërprera të shiut tash e dy ditë kanë krijuar vërshime, por edhe vështirësi qarkullimi nëpër rrugët e territorit të Komunës së Vushtrrisë.

Përveç vërshimeve të ujit në lagje të disa fshatrave, sipas informatave nga Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, vështirësi në qarkullim ka në rrugën magjistrale Vushtrri-Prishtinë, por edhe në rrugën tjetër në fshatin Vërnicë ku ka vështirësi qarkullimi të automjeteve në drejtimin Vushtrri – fshatrat e Artakollit.

“Sipas informatave të ekipeve tona nga terreni ka vështirësi qarkullimi në rrugën magjistrale Vushtrri- Prishtinë por edhe në rrugët që lidh Vushtrrinë me fshatrat e Artakollit, konkretisht në fshatin Vërnicë.

Po ashtu, ka edhe rrëshqitje të dheut në fshatin Skromë, kusi pasojë është ngushtuar rruga për qarkullim”, ka deklaruar Nezir Klinaku drejtor i emergjencave në Komunën e Vushtrrisë.

Në përballje të kësaj situate kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, që në mëngjes ka mbajtur një takim me të gjithë aktorët si administratën komunale, Drejtorinë e emergjencave, policinë, njësinë e zjarrfikësve dhe shpëtimit, ndërmarrjet komunale, Kryqin e Kuq dhe ekipe tjera ku ka kërkuat rritjen e gatishmërisë emergjente si dhe ka themeluar Shtabin e gatishmërisë emergjente.

Mulaku ka kërkuar nga të pranishmit mobilizimin e të gjitha ekipeve që të jenë në gatishmëri emergjente edhe tu ndihmojnë qytetarëve.

Ndërsa, kompania e Ujësjellësit Rajonal ”Mitrovica” ka njoftuar se për shkak të reshjeve atmosferike është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm në Komunën e Vushtrrisë.

“Për shkak të reshjeve të fundit atmosferike dhe rritjes së nivelit të ujërave sipërfaqësore, për të ruajtur stabilimentet elektromakinerike dhe cilësinë e ujit, jemi detyruar të ndërpremë furnizimin me ujë të pijshëm në gjithë Komunën e Vushtrrisë”.

“Situatën do ta monitorojmë në vazhdimësi dhe në çdo moment të përmirësimit të kushteve atmosferike, ne do ta funksionalizojmë prodhimin e ujit”, ka raportuar Faton Vërbovci, menaxher i Njësisë për Vushtrri në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme