VV – AAK, biseda joformale për të çuar vendin në zgjedhje

Prishtinë | 01 Sht 2020 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Mungesa e mbështetjes nga partnerët e koalicionit për kandidaturën e Ramush Haradinajt për president, është rrethanë e cila mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Pas Lëvizjes Vetëvendosje, e cila insiston në zgjedhje të parakohshme, tani edhe Aleanca i ka përmendur ato, nëse kreu i saj nuk zgjidhet në krye të shtetit.
 

Në biseda joformale është përmendur mundësia e një bashkëpunimi mes VV-së dhe AAK-së, i cili do të çonte në krijimin e rrethanës që vendi të shkojë në zgjedhje, duke mos e përjashtuar as një koalicion të mundshëm paszgjedhor.

Në lidhje me këtë, KOHA ka kontaktuar zyrtarët e këtyre subjekteve.

Ata e kanë mohuar të ketë pasur diskutime të kësaj natyre, por që nuk e kanë mohuar as pohuar bashkëpunimin në të ardhmen.

“Nuk mund të flasë për bashkëpunime në kohën kur vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Mbetet të shihet se cilat do të jenë qëndrimet e subjekteve tjera, natyrisht edhe qëndrimi i Aleancës do të shfaqet për koalicionet e mundshme. Por në këtë fazë, në këtë kohë nuk është biseduar rreth kësaj çështje dhe nuk mendoj se kjo është temë”, ka thënë deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj.

Ai ka shtuar se, pavarësisht rrethanave që mund të krijohen, nuk do të tërhiqen nga kandidatura e Haradinajt, edhe me çmimin që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Nuk bëhet fjalë për dalje nga koalicioni, por nëse nuk ka konsensus që Ramush Hradinaj të jetë president i Kosovës, atëherë qëndrimi jonë është i qartë- pa dëshirën tonë vendi shkon në zgjedhje”, ka shtuar Selmanaj.

Ndërkaq në Vetëvendosje kanë mohuar të ketë pasur ndonjë bisedë me AAK-në për mundësinë e koalicionit. Zëdhënësi Përparim Kryeziu ka përmendur përmbushjen e disa kushteve para se të flasin për bashkëpunime.

“Jo, takime të kësaj natyre e për këtë qëllim nuk ka pasur. Klasa e vjetër u bënë bashkë që ta rrëzojnë qeverisjen e mirë Kurti kur ajo po ua cenonte interesat teksa kishte filluar ç’kapjen e shtetit. Është e udhës qytetarët ta thonë fjalën e tyre përsëri pas asaj që deklaruan më 6 tetor. Pa zgjedhje të lira dhe demokratike paraprakisht nuk mund të flasim për asnjë bashkëpunim”, ka thënë zëdhënësi i VV-së, Përparim Kryeziu.

Ai ka shtuar se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nuk duhet të ndjekë logjikën e gatishmërisë e të përshtatshmërisë së subjekteve politike, apo sepse ato i konvenojnë ose jo dikujt.

“Ato janë mekanizëm demokratik që siguron përfaqësim të vullnetit të qytetarit në institucione të cilat udhëheqin dhe kujdesen për mirëqenien e tij. Prandaj edhe kërkesa jonë për zgjedhje të reja ka marrë mbështetjen e me shumë së 250 mijë qytetarëve të cilët kanë nënshkruar peticionin për zgjedhje, dhe mbajtja e tyre është sa nevojë, sa domosdoshmëri është edhe kërkesë dhe vullnet i qytetarëve të cilit duhet t’i përgjigjet e nënshtrohet ccdo subjekt politike i cili garon në zgjedhje”, ka shtuar Kryeziu.

Pas shpalljes së kandidaturës, Haradinaj i çoi sinjale LDK-së se nëse nuk e mbështet, as partia që drejton ai nuk do ta përkrahë dikë tjetër.

Ndryshe prej negociatave kur i zhvillonte me Lëvizjen Vetëvendosje, tani partneri kryesor në koalicion, LDK-ja, nuk dëshiron që presidenti të jetë temë diskutimi përderisa nuk sfidohen nga afatet kushtetuese.

Por kjo temë mund të hapet më herët, pasi Thaçi ka paralajmëruar të japë dorëheqje nëse i konfirmohet aktakuza për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Është përmendur edhe mundësia që pas shpalljes së aktakuzave, PDK-ja të përfshihet në koalicion dhe LDK-ja t’ia ofrojë postin e presidentit.

Ditë më parë Isa Mustafa ka folur për ndryshime të mundshme në qeveri të cilat mund të ndodhin në çdo kohë.

Edhe nëse LDK-ja dhe PDK-ja bëhen bashkë, pa AAK-në nuk do të mbërrijnë t’i sigurojnë dy të tretat e deputetëve në sallë. Dështimi për ta zgjedhur presidentin e çon vendin në zgjedhje të parakohshme.

Të ngjashme