Kritikat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në adresë të Qeverisë së Kosovës po konsiderohen si të padrejta nga partia në pushtet, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i sheh me shqetësim plasaritjen e raporteve me ShBA-në.
LDK e AAK thonë për Ekonomia Online se deklarata e ambasadorit amerikan Jef Hovenier, që ka përmendur një bisedë me gjyshin e tij, që i kishte thënë “të mos urinonte në dyert e klubit që dëshiron t’i bashkohet”, është shqetësuese, ndërsa VV-ja i sheh të ngutshme.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë për Ekonomia Online se Kosova shumëfish është pro Bashkimit Evropian se sa shtetet tjera të rajonit. Deklaratat e ambasadorit amerikan, i konsideron të padrejta.
“Ne kemi shpreh gatishmëri që të bashkëpunojmë, ne jemi shteti që më së shumti po avancojmë në demokraci në krahasim me shtetet e rajonit, kemi dalë shteti i parë për lirinë e shprehjes, shtypit si dhe në avancimin e luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, kështu që qasja e tillë ndaj Kosovës është e padrejtë sepse ne tashmë jemi rëndit, politika e jashtme është në vijë të njëjtë me politikën e jashtme të SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe”, ka thënë Pacolli, duke mohuar pretendimet se Qeveria nuk koordinohet me faktorin ndërkombëtar, veçse kërkon që Kosova të respektohet si shtet”.
“Pra ne jemi në linjë me BE dhe ajo çfarë ne po kërkojmë është që ne të respektohemi si shtet, kërkesat tona të merren seriozisht dhe mos të na bëhet presion vetëm neve si shtet kur e din edhe SHBA-ja edhe ambasadori edhe të tjerët që janë të angazhuar e dinë që kemi të bëjmë me një shtet agresorë, pra njëjtë sikur se Ukraina që ka në kufijtë një shtet agresorë siç është Rusia ne e kemi Serbinë, e cila kërcënon Kosovën, kërcënon Bosnjën dhe tenton të destabilizojë edhe Malin e Zi, dhe kështu që ne nuk mundemi t’i nënshtrohemi kërkesave të Serbisë dhe presioni të bie më shumë mbi Kosovën se sa mbi shtetin serb, dhe unë mendoj që deklarata të tilla janë të padrejta karshi Kosovës siç janë të padrejta edhe vendimet e BE për t’i vendosur sanksionet shtetit të Kosovës”, ka thënë Pacolli.
Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, një herësh deputete e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se në vend që Qeveria të ulet e të dakordohet më BE-në e ShBA-në për heqjen e masave ndaj vendit, Kosova merr kërcënime të reja.
Ajo ka thënë se deklarata e ambasadorit të ShBA-së është shqetësuese, duke shtuar se qytetarë nuk duhet të preken nga ajo deklaratë, pasi sipas saj, ajo porosi nuk ka qenë për qytetaret por për qeverinë dhe kryeministrin Kurti.
“Në vend që ne të ulemi dhe të dakordohemi me ta për heqjen e masave nga BE-ja, ne marrim kërcënime të tjera. Kjo deklaratë ke e një nivelit, ku sa herë amerikanët kanë lëshuar këso deklarata, gjithmonë ju kanë drejtuar VV-së, sepse këta as një herë nuk janë koordinuar edhe nuk kanë qenë në linjë me amerikanët, po as me BE-në. Kjo deklaratë është shqetësuese mirëpo nga kjo deklaratë nuk duhet që të preket populli i Kosovës sepse ai e ka fjalën pikërisht për njerëzit në qeverisje, pikërisht për kryeministrin Kurti. Sepse është ky person që po merr vendime në emër të Kosovës dhe qytetareve të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se në VV për të gjitha vendimet pyetet vetëm Kurti, e që sipas saj, kjo e bënë atë një diktator.
“Veç lider nuk është, sepse lideri duhet të përafrohet, të koordinohet edhe me aleatet por edhe me partitë opozitare. Që nga fillimi që ka marr mandatin ka vendosur gjëra kokë në vete, mirëpo e shohim edhe në partin e tij, ai nuk vetët. Pavarësisht a do të del, 20 për qind a 30 për qind VV-ja e kanë vetëm një njeri që vetët, nuk vetën deputet e VV-së po vetët vetëm një njeri ai është kryeministri Kurti, është për mua një diktator për arsye se mendon të gjitha gjërat ti bëjë vetë. Mirëpo tash ju e dini që ka edhe një ndihmë nga asistentja, Dejona Mihali”, ka thënë ajo.
Por deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë për Ekonomia Online se këto deklarata të ambasadorit amerikan janë shqetësuese. Lekaj ka thënë se me kokëfortësinë e kryeministrit Albin Kurti po e pësojnë qytetarët, sidomos pas sanksioneve të vendosura nga BE-ja.
“Për ne është shqetësuese deklarata e Ambasadorit amerikan dhe duhet të jetë shqetësuese edhe për kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës sepse një shtet mik siç janë SHBA të qortoj në mënyrë të drejtpërdrejtë pa diplomaci, mendoj që duhet të analizojë se ku ka gabuar dhe pse nuk koordinohet me ata që kemi ndërtuar shtetin bashkërisht. Nuk habitem që kjo qeveri i ka të gjitha tiparet e një lideri komunist dhe prandaj mendon që është vetëfuqia, vetë bota dhe në këtë drejtim kokëfortësia e tij na ka larguar mjaft nga faktori ndërkombëtarë e sidomos i ka pru edhe sanksionet që po i pësojnë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Lekaj.