Lëvizja Vetëvendosje ka ushtruar sërish ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me 1806 pakot me fletëvotime nga diaspora.
Sipas këtij subjekti politik, gjyqtarët Gyltene Sylejmani, Nenad Llazic, Afjete Sada-Gllogjani, Kymete Kicaj, Zyhdi Haziri, Rrustem Thaqi, Ferki Xhaferi, Faton Ademi dhe Adnan Konushevci, të PZAP-së shpërfillën Aktgjykimin e Gjykatës Supreme duke e shpallur me 3 nëntor ankesën e VV-së të pabazuar, dhe ia mohuan sërish të drejtën votuesve nga jashtë Kosovës që t’i numërohet vota.
“Pas Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, të gjithë prisnin që të finalizohej çështja e fletëvotimeve nga mërgata dhe të zbatohej plotësisht ky aktgjykim. Por siç dihet Sekretariati i KQZ-së nuk i mori parasysh të gjitha dërgesat e bashkëatdhetarëve, plot 1806 pako me fletëvotime, ndaj ishte e nevojshme të ushtrohej sërish ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nga ana jonë më 1 nëntor 2019”.
“Ndaj sot ne ia drejtuam sërish Gjykatës Supreme për të njëjtën çështje si edhe në rastin e mëhershëm”.
“Është e paprecendent që vendimet e Gjykatës Supreme të shpërfillen në mënyrë të sinkronizuar qoftë nga KQZ qoftë nga PZAP. Ata me këto veprime prej 12 tetorit po kontribuojnë aktivisht në shtyrjen e çertifikimin e rezultatit final dhe në tentativën për t’ia mohuar votuesve nga jashtë Kosovës të drejtën e tyre për të zgjedhur”.
“Në pritje të vendimit nga Gjykata Supreme, i njoftojmë bashkëatdhetarët tanë votues në këto zgjedhje se të tilla praktika e nëpërkëmbje të të drejtave të tyre do të bëjmë çmos që mos të përsëriten më në të ardhmen”.