Pas bllokimit të bisedave për lidhjen e koalicionit qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja pritet të rikthehen sot në tryezën e bisedimeve edhe pse nuk ka asgjë zyrtare.
Janë të dyja partitë që dje janë deklaruar se janë të gatshme për të vazhduar bisedimet mes tyre, siç thonë që të gjejnë një zgjidhje për formimin e qeverisë.
Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, mbrëmë në një deklarim për media ka paralajmëruar një takim mes Albin Kurtit e Isa Mustafës për sot.
“Takimet duhet të vazhdojnë, besoj qysh nesër (sot) dhe të gjendet sa më shpejt një zgjidhje në përputhje me interesat e qytetarëve dhe te vendit”, ka deklaruar ajo.
Përkundër gatishmërisë për t’u takuan, nëse merren parasysh deklaratat e fundit të dy partive, nuk ka aq sinjale pozitive që mund të arrihet një marrëveshje e shpejtë mes tyre.
Arsyeja është përplasja për karrige të pushtetit, pra ndarjen e pozitave të rëndësishme.
Arban Abrashi, anëtar i Kryesisë së LDK-së, mbrëmë përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se partia e tij këmbëngulë që të marrë pozitat që i ka synuar qysh në fillim, kur edhe kanë nisur bisedat me VV-në, pra presidentin, kryekuvendarin (që tashmë VV ia ka marrë me zgjedhjen e Konjufcës), si dhe 5 ministri.
“LDK-së sikur në fillim edhe tash duhet t’i takojnë Presidenti, Kryeparlamentari dhe pesë ministri”, ka shkruar Abrashi në Facebook.
Por VV pas zgjedhjes së Konjufcës si kryekuvendar po e vlerëson këtë çështje të kryer.