Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka ndërmend t’ia propozojë Presidentit të Kosovës emrin e mandatarin për kryeministër, deri sa të përfundojë situata emergjente me epideminë e Coronavirrusit në Kosovë.
Pavarësisht prej letrës së tretë të presidentit Hashim Thaçi dërguar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për propozimin e kandidatit për kryeministër, nënkryetarja e kësaj partie, Arbërie Nagavci në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje mbetet i njëjtë.
“Qëndrimi i jonë është ai që e kemi bërë të qartë tashmë. Në krijimin e rrethanave për t’iu përgjigjur letrës së Presidentit, ne do të përgjigjemi por që aktualisht e gjithë qeveria dhe secili prej nesh jemi të fokusuar në luftimin e pandemisë Covid-19 dhe do të jetë ftesë edhe për presidentin dhe secilin që të mobilizohemi të gjithë në respektimin e vendimeve dhe udhëzimeve të profesionistëve shëndetësorë dhe të jemi afër qytetarëve me ndihma dhe mbështetje që ata kanë nevojë”, ka thënë ajo.
Nagavci për Ekonomia Online ka thënë se përgjigjen presidentit do t’ia kthejnë në momentin kur do të përfundojë situata me Covid-19.
Ajo ka shtuar se për ta më i rëndësishme është shëndeti publik, e më pas do të merren me çështje politike.
“Emrin do ta dërgojmë, pra do të përgjigjemi në letrën e presidentit sapo të krijohen kushtet për këtë dhe presidenti nuk ka asnjë të drejtë të bëjë presion mbi Lëvizjen Vetëvendosje dhe aq më tepër të bëjë propozime sikurse i ka bërë edhe sot, sepse nuk i takon atij që të marrë hapa çfarë i ka dhënë sot”.
“Kjo situatë do të vazhdojë deri sa të kemi siguri se nuk rrezohet shëndeti publik, atëherë do të merremi me çështje politike. Në momentin e krijimit të pushteteve dhe përmirësimit të situatës me pandemi ne do t’i kthejmë përgjigje presidentit”, ka thënë ajo.
Nagavci ka thënë se presidenti nuk ka të drejtë t’ia jap dikujt tjetër mandatarin, pa fituesin e zgjedhjeve.
Teksa ka folur për mundësinë që LDK-ja të bëjë koalicion me partitë tjera, ajo ka thënë se dëshirat e LDK-së janë të ndryshme, por pa VV-në nuk ka Qeveri.
“Nuk është në diskrecion të Presidentit që të jap mandat tjetër dikujt përveç fituesit të zgjedhjeve. Dëshirat e LDK-së dhe të tjerëve mund të jenë të ndryshme por sipas Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtuese nuk ka qeveri pa fituesin e zgjedhjeve”, ka thënë ajo.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i ka shkruar të mërkurën për herë të tretë një letër kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke ia kërkuar emrin e mandatarit.
Thaçi, në letrën e tretë drejtuar Kurtit, i jep ultimatum që brenda siç thotë ai, “një periudhe të arsyeshme kohore, në përputhje me urgjencën për t’i dhënë vendit Qeveri të re me legjitimitet nga Kuvendi, të propozoni kandidatin për kryeministër për të formuar Qeverinë”.
“Askush nuk ka të drejtë t’i privojë përfaqësuesit e zgjedhur të popullit në Kuvendin e Kosovës për të pasur kandidatin/en për Kryeministër dhe për të ushtruar kompetencën e tij/saj për të zgjedhur Qeverinë siç përcaktohet në nenin 65 (8) të Kushtetutës”, thuhet në letrën e Thaçit.