Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Supreme ankesën për vendimin e PZAP-së, për të mos numëruar votat e diasporës, raporton EkonomiaOnline.
Kërkesën në Gjykatë Supreme e kanë dorëzuar, Blerim Sallahu dhe Albulena Haxhiu.
Pas dorëzimit në Gjykatën Supreme, Blerim Sallahu zyrtari ligjor i VV-së, tha për EkonomiaOnline se kërkesa e tyre për numërimin e të gjitha votave të ardhura nga diaspora është legjitime dhe si e tillë duhet të pranohet edhe ng Gjykata Supreme.
“Sot ne dorëzuam ankesën tonë kundër vendimit të PZAP-së. Vendimi i PZAP-së, ka refuzuar ankesën tonë të mëhershme për arsye çuditërisht të pabazuar ligjërisht, për shkak se ka theksuar qe ankesa jonë për numërim të votave të mërgatës fletëvotimet duhet të mbërrijnë një ditë para zgjedhjeve në KQZ”.
“PZAP-ja, nuk ka marrë parasysh vendimin dhe udhëzimet e Gjykatës Supreme. Gjykata Supreme ka theksuar sipas ligjit të LPK-së neni 127, paragrafi 2, ne fletëvotimet e dorëzuara me postë, konsiderohet ditë e dorëzimit të atij fletëvotimi në KQZ. Pra fletëvotimi duhet të vijë një ditë para zgjedhjeve”, tha ai.
Ai tha se PZAP-ja nuk ka marrë për bazë kërkesën e tyre dhe për këtë qëllim i janë drejtuar përsëri Supremes.
“Për këtë arsye ne pretendojmë se ankesa jonë është e bazuar dhe presim nga Supremja që në përputhje me ligjin e LPK-së dhe ligjin për zgjedhje të merr vendim pozitiv dhe ato vota të mërgatës të numërohen dhe të realizohet vullneti i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për legjitimin dhe forcim të institucioneve të Kosovës përmes votës demokratike”, theksoi ai.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dje vendosi sërish që të mos numërohen votat e ardhura nga diaspora jashtë afatit ligjor.