VV-ja duhet të tregojë pse e emëroi Mujecin aksionar pikërisht në ndërmarrjen që menaxhon linjat e autobusëve

Prishtinë | 15 Gus 2023 | 20:21 | Nga Donjeta Sahatçiu

Pse Mujeci i arrestuar sot për bartje të mijëra dozave të narkotikëve me autobus në linjën Prishtinë-Tiranë u emërua nga LVV pikërisht si aksioner në ndërmarrjen që menaxhon udhëtimet e linjave të autobusëve?

Kjo është pytja kryesore me interes publik për taksapaguesit e Prishtinës rreth ngjarjes së sotme. Për më tepër, kur emërimi i po të njejtit është bërë me seancë të jashtëzakonshme për të destabilizuar punën e Kuvendit të Kryeqytetit, në emër të “kthimit të ndërmarrjeve në të mirën e interesit të qytetarëve”. Qysh na qenka mbrojtur realisht interesi i qytetarëve me zëvendësimin e aksionerit të kaluar me Mujecin si aksioner të ri në ndërmarrjen “Stacioni i Autobusëve”?

Subjektet politike edhe mund të distancohen nga individë anëtarë për veprime të tyre individuale. Por, nuk mund të distancohen kalimthi pa dhënë përgjegjësi kolektive, kur të njejtin anëtar që sot me shfaqje teatrale e gjykon për veprime individuale në komision disiplinor dhe e përjashton nga grupi, ka vendosur dikur ta emërojë si aksioner përfaqësues të subjektit në ndërmarrjen ku po ky veprim u mundësua.

Sot duhet të kemi vetëm një përgjigje: Pse Mujeci i arrestuar sot për bartje të mijëra dozave të narkotikëve me autobus në linjën Prishtinë-Tiranë u emërua nga LVV pikërisht si aksioner në ndërmarrjen që menaxhon linjat e autobusëve.

(Autorja është nënkryetare e Komunës së Prishtinës)

Të ngjashme